
Historia e Josef Kantozit, hebreu që dha gjithçka në luftën e Vlorës!
Dritare.net
Sezonin e ri të emisionit “Shqip” në DritareTv gazetarja Rudina Xhunga e hapi me një histori lufte, siç është lufta e Vlorës. 103 vjet më parë, shqiptarë nga gjithë Shqiptaria u mblodhën në Vlorë dhe i hodhën italianët në det, i përzunë jo vetëm nga Vlorë, por kudo. Nderim dhe falënderime për ata që luftuan dhe kontribuuan për luftën e Vlorës dhe një fatkeqësi e madhe për ata që luftuan dhe nuk u kujtuan kurrë. Rastësisht apo gabimisht historia i mënjanoi. Por një mbesë e mirë si Rashel Solomoni, një hebreje vlonjate erdhi në DritareTv për të treguar historinë e dajës së nënës që la gjithçka në Vlorë dhe vetëm për Vlorën, që ta shihte të çliruar nga armiku.
Josef Kantozi kontribuoi shumë për luftën e Vlorës, por fatkeqësi e tij që sot nuk njihet, si shokët e tij. Ndaj kjo detyrë për të vazhduar emrin e Josef i ra Rashel, që mban edhe emrin e vajzës së ndjerë të Jozef Kantozit. Rashel e ka si detyrë morale, si detyrë që të vazhdojë rrugën e Josef Kantozit, të shkruajë për të, se ndryshe do harrohet për fare. Ky ishte amaneti i jetës se Rashel, për të treguar se kush ishte Josef Kantozi emrin e të cilit sot e mban djali i saj Josef Lior.
Si u bashkua Josef Kantozi me luftën e Vlorës?
“Josef Kantozi lindi në Vlorë, në një familje shumë të pasur në 1890-ën. Shkollën e lartë ai e vazhdoi në Itali, në Brindisi, ku ruajti marrëdhënie të mira me Italinë. Pra i pëlqeu Italia sepse atëherë ishte një shtet i përparuar me muzikë, ku jetohej mirë dhe ai shpenzonte shumë për jetën. Por sa herë që shkonte në Itali nuk tregonte se ishte hebre, pra nuk tregonte se kush ishte. Sa herë zbriste nga anija, e shihnin që vinte nga Shqipëria. E shihte që ishte i pasur dhe i kishin vëne epitetin Conte della Albania. Një ditë kur shkon për të ngrënë mëngjesin në restorantin e tij të përhershëm, ishin ulur në tavolinë disa ushtarë italianë. Sa panë që u ul Josef Kantozi i nënqeshën me përbuzje. Një ushtar italian merr një kartëmonedhë dhe i shkon në tavoline Josefit dhe ia djeg kartëmonedhën në fytyrë dhe i thotë; Kështu do ta djegim ne Shqipërinë tuaj të vogël. Nuk bëri asnjë veprim, u ngrit nga tavolina, futi dorën në xhep kap një 1 mijë lirë. E ndez në mes të atyre ushtarëve dhe u thotë; Kështu d ta djegim ne shqiptarët, Italinë tuaj të madhe. Aty e burgosën Josef Kantozin. Paguan shumë para për ta nxjerrë nga burgu dhe këtu filloi pasurimi i patriotizmat të tij si vlonjat e shqiptar e që vazhdoi gjatë gjithë jetës se tij. Ai u kthye në Vlorë dhe vazhdoi aktivitetin me shokët. Josef Kantozi ishte gjithmonë aktivist me vlonjatët kundër pushtimeve të Italisë.
Në 1912-ën, Shqipëria ishte pushtuar nga osmanlinjtë, siç dihet Ismail Qemali shkoi me karrocë në Vlorë për të ngritur flamurin. Kur mbërriti në Vlorë, shkoi në Skelë aty ku ngriti flamurin. Ndërkohë ushtarët turq e kishin rrethuar Skelën dhe kërkuan ta vrasin Ismail Qemalin para se ta ngrinte flamurin. Por nuk ia arritën qëllimit sepse populli e mbrojti me shumë dashuri Ismail beun. U ngrit flamuri dhe ushtarët filluan të kërkonin në lagjen e Skelës duke ngushtuar rrethin që ku do shkonte Ismail Qemali pas ngritjes së flamurit. Donin ta vrisnin pas ngritjes së flamurit. Aty ishin shoqëruesit e tij, mes tyre edhe Josef Kantozi. Ai i thotë mendimin e tij për ta shpëtuar Ismail Qemalin. Ngjitur me shtëpinë ku u ngrit flamuri, ishte shtëpia e gjyshes sime, që sapo ishte martuar me gjyshin tim. Ata e futën Ismail Qemalin në shtëpinë e gjyshes sime hebreje. Ndaj askujt nuk do t’i shkonte mendja që Ismail Qemali do strehohej te hebrenjtë. Ashtu u bë. Ismail Qemali u fut në shtëpinë e gjyshes sime. Gjyshja hapi një shishe verë dhe Josef Kantozi i ofroi të ngrenë një dolli për ngritjen e flamurit. Ndërsa Ismail Qemali, ashtu i lodhur siç ishte, i tha; “Nuse do më bësh një kafe?” Gjyshja ia bëri kafenë dhe qerasi Ismail Qemalin. Ishte e para që i serviri Ismail Qemalit kafenë në ditën e parë të çlirimit të Vlorës.” Këto histori në familjen tone janë mbajtur gjallë sepse unë kam fshirë lotet e gjyshes sime, për vëllanë e saj, për Josefin. Dashurinë ia fali të bukures Vlorë. Ai i fali zemrën, i fali edhe pasurinë e tij. Të gjithë pasanikët e Vlorës investuan për këtë luftë, mes tyre ishin edhe hebrenjtë e Vlorës. Por Josef Kantozi e shkriu pasurinë e tij për luftën e Vlorës, gjatë dhe pas saj. Të gjithë hebrenjtë e tjerë ndihmuan financiarisht në luftën e Vlorës. Por Josef Kantozi, rrëmbeu armën dhe luftoi përkrah luftëtarëve nga Vlora dhe jo vetëm.”, tregon Rashel Solomoni për gazetaren Rudina Xhunga./K.C/dritare.net

















