
Beqiri: Si e mori Shkëlzen Berisha licencën për fabrikën e demontimit të armëve!
Dritare.net
Idajet Beqiri ishte sot i ftuar në edicionin e lajmeve në Dritare Tv ku foli gjatë për ngjarjen e Gërdecit. Ai tregoi skemën se si loboi Shkëlzen Berisha për të marrë licencën për ndërtimin e fabrikës së demontimit të armëve në Gërdec. Sipas avokatit tanimë kanë dalë prova të tjera që implikojnë edhe personazhe të tjera në këtë ngjarje të rëndë dhe ato janë në duart e SPAK-ut.
“Në SPAK do të hyjnë shumë politikanë të tjerë. Hyri Fatmir Mediu, që quhej i pandëshkueshëm, hyri Aldo Bumçi për Gërdecin, që nuk ishte pyetur ndonjëherë për atë aferë të madhe dhe që dha ato shpjegimet e veta qesharake. Problemi është që SPAK-u tashmë i ka në dosjen e vet provat. Ajo aferë e Gërdecit, pa e politizuar, por thjesht trajtuar juridikisht është aferë e tmerrshme korruptive dhe tregon se si një shtet i korruptuar, një shtet bajraktar në kuptimin e vërtetë të fjalës, që kryeministri që është vetë zot vetë shkop, arrin deri aty sa djali i tij për t’u pasuruar menjëherë, bëri lobim për të bërë demontimin e armëve te çdo lloj tipi, për ta bërë ketë biznes njeriu i tij dhe ai të kishte përfitimet e tij.
Që të bëhej një aferë e tillë kjo nuk mund të realizohej kollaj por donte një përpunim në Këshillin e Ministrave, sepse do bëhej me vendim qeverie, sikurse do bëhet edhe shitja e armëve në vende të ndryshme. Në ketë drejtim ky biznes meqë ishte shumë fitimprurës i vuri syrin Shkëlzen Berisha dhe bëri lobimin te ministri i Mbrojtjes dhe tek ai i Drejtësisë. Mbasi kishte gjetur ata që e bënin shumë mirë këtë punë edhe ishin të tërë njerëz të vet, me atë kompaninë Delijorgji, kush ishte në krye të saj, me mikun më të ngushtë të tij, që ishte Rrahmani dhe si e mori ai këtë veprimtari, pra demontimin e këtyre armëve. Pasi gjeti dhe futi në pjesën përbërëse të saj thuajse gjithë familjen Berisha, pasi mori dhe vajzën e Fari Balliut, pra u mblodhën te gjithë, e ngriti. E para i duhej që ta ngrinte në Gërdec. Në çdo lloj pikëpamjeje, çdo vend i botës, kur ngre fabrika të tilla për të bërë demontimin e armëve ngre një komision, një specialist nga më të zotët e vendit edhe në fushën ushtarake, atë kimike, ekologjike etj, për të gjetur vendin. Dhe vendi u gjendet në stepa, në male, ku nuk bën asnjë lloj dëmi. Supozojmë që nuk ndot as natyrën. Supozojmë se mund të ndodhë ndonjë shpërthim, por maksimumi do të dëmtojë malin, nuk merr jetë njerëzish.
Ai mori vendin që ishte me kosto më të ulët, portin e kishin afër, aeroporti më afër, kryeqyteti afër. Vendi nuk duhej caktuar në Gërdec, është akt i kundërligjshëm dhe qeveria s’duhet ta bënte një gjë të tillë. Do ishte bërë një lloj tenderi siç bëhet për të gjithë të tjerët. Këta po ulërijnë sot për tenderat për inceneratorët, që u dhanë me preferenca. Po ti pse e dhe me preference? Në mbledhjen e qeverisë ministri i Financave Ritvan Bode këmbënguli fort dhe tha që kjo mënyrë të vepruari bie erë të keqe, sepse mesa duket edhe te ai kishte vajtur Shkëlzeni. Sepse ai para se të merrte licencën e kishte bëre zyrën e Fatmir Mediut dhe Aldo Bumçit, sikur të ishte Shkëlzeni ndonjë kryeministër.
Deri sa mori licencën dhe që e ndërtoi fabrikën në Gërdec. Pati kundërshtime në qeveri. U implikua rënde Berisha, sepse jo vetëm që pa djalin e vet që po lobonte për ta marrë këtë biznes, por nga ana tjetër kur pa kundërshtime në qeveri dhe kur pa që nuk ishin dakord që të veprohej si po veprohej për Gërdecin, ai fill pas 20 ditëve të mbledhjes se qeverisë me urdhrin e vet i thotë Fatmir Mediut: “Më këtë çështje merru ti.” Fatmir Mediu dihet se si do ta zgjidhte. Që të merrte vijë vendimi i Këshillit të Ministrave, për fabrikën ministri i Drejtësisë ka të drejtën ta shikoje nga pikëpamja ligjore nëse përputhet me Kushtetuan dhe ligjin dhe vë firmën e vet. Për t’i thënë Shkëlzenit që: “Ja ta bëra nderin o Shkëlzen!”, vuri edhe shënimin te letra “Për Shkëlzen Berishën” dhe i vete faksi edhe atij. Ai mohon firmën dhe thotë se nuk e ka hedhur ai, le ta çojnë për ekspertizë. Është sekretarja që dëshmon për prezencën e Shkëlzenit kur do merrej kjo licencë. Atje siglën nuk ka nevojë ta vendosë ministri, kjo lidhet edhe me prova të tjera indirekte. Ministri mund t’i thotë edhe sekretares mund ta bëjë kushdo me urdhër të ministrit. Pra kjo bëhet edhe me gojë. Ai do përgjigjet se do merret e lidhet edhe me fakte të tjera. E para pse e lejove të bëhej Gërdeci kur e dije se aty ishte me rrezikshmëri të shtuar dhe mund të ndodhte fatkeqësia, siç ndodhi me 26 të vdekur dhe 400 invalidë të përjetshëm. Edhe e dyta si arrin ti që të kontaktosh dhe të merresh me djalin e kryeministrit ndërkohë që këto nuk janë çështje private, familjare. Në këtë aspekt SPAK-u po heton.
SPAK nuk po merret vetëm me Fatmir Mediun. Të ishte vetëm për kaq Prokuroria e kishte të mbyllur çështjen, e mbylli që në 2008-ën. Fakti që tani nuk thërresin vetëm Mediun, por edhe ministrin e Drejtësisë, edhe Shkëlzen Berishën. Këto janë gjera që nuk janë hetuar në fillim. Kjo do të thotë që hetimi po thellohet. Diçka tjetër ka dalë nga ky proces. Kjo do të thotë që po del se kush kanë qenë organizatorët, frymëzuesit e kësaj ngjarjeje dhe nuk do të ngelë kjo çështje te kapterët që u dënuan.
Kur ka folur edhe Luan Hoxha, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare që mori azil politik në Amerikë, për shkak të kësaj afere të madhe sepse ishte aferë që për të vjedhur Berisha vrau njerëz. Hoxha ka dhënë shpjegimet e veta të cilat i kanë ardhur SPAK-ut dhe po heton.”, tha Beqiri për DritareTV./K.C/dritare.net

















