
Shtyhen me 3 muaj hetimet për Metën, avokati shpërthen ndaj SPAK: Ka tejkaluar çdo afat ligjor!
Dritare.net
Hetimet ndaj presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, janë shtyrë me tre muaj nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion (SPAK), vendim që ka shkaktuar reagime të forta nga përfaqësuesit ligjorë të tij.
Pas seancës gjyqësore, avokati i Metës, Kujtim Cakrani, doli me një deklaratë të ashpër për mediat, duke akuzuar SPAK-un për tejkalim të afateve ligjore dhe mbajtje të padrejtë në paraburgim të ish-Presidentit të Republikës.
“Thonë se nuk janë mbledhur provat për të dhe e mbajnë në burg Presidentin e Republikës. Nuk janë mbledhur prova, nuk ka asnjë fakt pse mbahet dhe është absurde që presidenti qëndron në paraburgim”, u shpreh Cakrani.
Ai shtoi se akuzat ndaj Metës janë komunikuar dhe se afati për përfundimin e hetimeve përfundon nesër, ndërsa vendimi për shtyrjen e tyre është marrë vetëm sot nga SPAK.
“Presidenti Meta nuk është kundër hetimit dhe procesit, por pse mbahet? Presidenti është rrëmbyer dhe SPAK-u është kthyer në një Prokurori politike”, deklaroi avokati, duke theksuar se hetimet kanë nisur që para gjashtë vitesh dhe se çështja duhej të ishte në kompetencë të prokurorisë së Tiranës.
“SPAK, po të donte, mund të hetonte edhe policët që e rrëmbyen Presidentin”, përfundoi Cakrani./K.C/dritare.net

















