
Ndeshja me Shqipërinë/ Stojkoviç: Nuk bëra deklarata politike, jam trajner futbolli
Dritare.net
Trajneri i Serbisë, Dragan Stojkoviç, u rikthye sot për të sqaruar deklaratat e tij lidhur me atmosferën në ndeshjen e fundit mes Shqipërisë dhe Serbisë në “Arenën Kombëtare”, që u mbyll me një barazim 0-0.
Pas interpretimeve të ndryshme të fjalëve të tij në mediat serbe, Stojkoviç theksoi se komentet fillestare kishin të bënin vetëm me atmosferën sportive dhe nuk përmbanin asnjë qëllim politik.
“Unë nuk jam politikan. Fola për një atmosferë futbolli, si ajo në ndeshjet mes Boca Juniors dhe River Plate në Argjentinë. Nuk është e nevojshme të më japë kush leksione për patriotizmin. Dua të udhëheq Serbinë dhe këta djem me krenari,” u shpreh trajneri serb.
Ai vlerësoi gjithashtu organizimin e ndeshjes, duke theksuar se çdo aspekt logjistik ishte “fenomenal”./K.C/dritare.net

















