
Deklarata e federatës serbe pas ndeshjes, akuzat e gazetarëve: Sikur e ka shkruar Vuçiç!
Dritare.net
Pas ndeshjes Shqipëri-Serbi të zhvilluar më 7 qershor në stadiumin “Air Albania” në Tiranë, reagimi i Federatës Serbe të Futbollit ka ngjallur kundërshtime të forta në Shqipëri. Të ftuar në emisionin Dekalog të gazetarit Roland Qafoku në DritareTV, tre gazetarë sportivë, Uvil Zajmi, Skerdilajd Sulozeqi dhe Dritan Lundra komentuan deklaratat e palës serbe, duke i konsideruar të pavërteta, të pabazuara dhe me prapavijë politike.
Gazetari Skerdilajd Sulozeqi e cilësoi ndeshjen si një nga më të civilizuarat që është zhvilluar ndonjëherë në Shqipëri:
“Kjo ka qenë ndeshja më fair play që ka ndodhur ndonjëherë në Shqipëri. Disave ndoshta nuk u vjen mirë, por shqiptarët treguan qytetari, treguan respekt, treguan fair play në fushë dhe ato sharje ishin sporadike dhe shumë më të vogla se sa çfarë na kanë bërë neve në Serbi.”
Sulozeqi theksoi gjithashtu se Federata Shqiptare nuk kishte lejuar grupe tifozësh ekstremistë, pikërisht për të shmangur provokimet, ndërsa i interpretoi deklaratat e Federatës Serbe si një përpjekje për të justifikuar rezultatin:
“Federata nuk ka pranuar grupet për të eliminuar këto lloj gjërash, dhe këta tani dalin me këtë deklaratë sepse rezultati që morën në Shqipëri ishte jo i pritshëm për ta. Mendonin që: "Ne jemi Serbia, ne do fitojmë'. Por Kombëtarja jonë dominoi edhe në lojë, edhe në të gjitha aspektet e tjera.”
Ndërkohë, gazetari Dritan Lundra vuri theksin te konteksti i deklaratës serbe, duke e cilësuar si politik dhe aspak sportiv:
“Problemi është që Federata Serbe e Futbollit e ka bërë këtë deklaratë, kështu që do e marrësh si deklaratë të Federatës Serbe për të mbrojtur veten e saj. Asgjë nga ato që deklaruan serbët, madje unë u habita për gjithë atë lavdërim për Federatën Shqiptare të Futbollit që e paska pritur mirë. Nuk të pret keq njeri në Shqipëri, sidomos instancat e larta zyrtare.”
Sipas tij, menaxhimi i ngjarjes ishte i jashtëzakonshëm dhe akuzat për praninë e ekstremistëve janë të pabazuara:
“Për mua, që një federatë të merret me çfarë bëjnë tifozët, nuk ka asnjë lloj vlere. E rëndësishme ishte që 90 minuta në fushën e stadiumit ‘Air Albania’, dhe jo vetëm. Menaxhimi ishte perfekt. Policia e Shtetit dhe organet ligjzbatuese e menaxhuan situatën për rreth katër orë ose më shumë. Nuk kishim asnjë lloj mundësie të lejonim grupe ekstremiste, siç thotë Federata.”
Ai e mbylli me një deklaratë të fortë:
“Kjo nuk është deklaratë sportive, është deklaratë politike. Sikur e ka bërë Aleksandër Vuçiç. Është normale, edhe ai mund ta ketë shkruar.”/K.C/dritare.net

















