Na ndiqni edhe në

Shëndet

TikTok po dëmton lëkurën e vajzave të reja. Studimi që alarmon prindërit

TikTok po dëmton lëkurën e vajzave të reja. Studimi që

Një studim i ri flet për videot e vajzave të reja në TikTok që promovojnë rutina të ndërlikuara të kujdesit për lëkurën. Studimi thotë se këto rutina nuk sjellin përfitime reale dermatologjike, por përkundrazi rrisin rrezikun për irritime të lëkurës dhe alergji të përhershme.

Studiuesit nga Universiteti Northwestern analizuan 100 video në TikTok të realizuara nga vajza të moshës 7 deri në 18 vjeç, të cilat promovonin përdorimin e produkteve të shtrenjta si kremra kundër rrudhave, tonikë, serume dhe trajtime për akne.

“Rreziqet e përdorimit të këtyre produkteve, sidomos tek vajzat e vogla, tejkalojnë çdo përfitim të vogël që mund të kenë,” – tha Dr. Molly Hales, autore e parë e studimit.


Çfarë zbuloi studimi?

Rutina mesatare përfshinte 6 produkte, kushtonte rreth 168 dollarë në muaj, por disa shkonin deri në 500 dollarë.
Vetëm 26% e videove të rutinës ditore përfshinin krem mbrojtës ndaj diellit, pavarësisht rrezikut për djegie dhe dëmtime të lëkurës.
76% e videove më të shikuara përmbanin të paktën një alergjen të mundshëm, si parfumet, që mund të shkaktojnë ndjeshmëri të lartë të lëkurës.
Përdorimi i produkteve me përbërës të shumtë aktivë, ose kombinimi i produkteve me të njëjtin përbërës, shton ndjeshëm rrezikun për acarim të lëkurës.
Ekspertja britanike Dr. Tess McPherson u shpreh se është rritur ndjeshëm numri i të rinjve që kërkojnë ndihmë mjekësore për irritime të lëkurës si rezultat i këtyre produkteve. Ajo e quajti fenomenin “një pasqyrim shqetësues i presionit shoqëror ndaj pamjes së jashtme”.

Studimi gjithashtu kritikoi idealet estetike që promovohen në TikTok, të cilat shpesh lidhen me lëkurë të pastër, të bardhë dhe perfekte, një standard i paarritshëm që mund të ndikojë negativisht në vetëvlerësimin e vajzave të reja.

TikTok reagoi duke thënë se kjo përmbajtje është e zakonshme në të gjitha mediat, dhe se platforma ndihmon gjithashtu në shprehjen personale, lidhjen mes brezave dhe ndërtimin e një komuniteti mbështetës.

Në përfundim, studiuesit rekomandojnë që vajzat e reja të mos përdorin rutina të ndërlikuara, por të mjaftohen me një pastrues dhe krem mbrojtës ndaj diellit, duke shmangur produktet e panevojshme dhe të rrezikshme për lëkurën./K.C/dritare.net