Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Pas Tiranës, do rinumërohen të gjitha votat edhe në qarkun Fier!

Pas Tiranës, do rinumërohen të gjitha votat edhe në qarkun

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur sot të kryejë rinumërimin e të gjitha kutive të votimit edhe në qarkun e Fierit, për zgjedhjet e mbajtura më 11 maj. Ky vendim vjen pas kërkesave të depozituara nga opozita, e cila ka ngritur pretendime për parregullsi dhe manipulime në disa zona zgjedhore.

“Me kërkesë të dy anëtarëve të KAS, i kërkohet administratës që të këqyrë të gjitha kutitë e votimit të qarkut Fier, për subjektet zgjedhore dhe kandidatët për votat brenda vendit si në rastin e qarkut Tiranë. Kështu që merrni masat, me mbarimin e qarkut Tiranë, të vazhdojë me këqyrjen e kutive të votimit të qarkut Fier. Seancën e radhës dhe orën do ta lëmë në varësi të përgatitjeve që do administrata për të organizuar këtë proces”, u shpreh Elvin Lako, anëtari i PS në KAS.

Procesi i rinumërimit në Fier pason atë në Tiranë, ku KQZ ka urdhëruar hapjen e të gjitha kutive të votimit, gjithashtu me kërkesë të opozitës. Sipas përfaqësuesve të saj, ka pasur mospërputhje mes rezultatit në protokolle dhe numrit real të votave në kuti.

KQZ pritet të publikojë së shpejti një kalendar të detajuar për mënyrën e organizimit dhe afatet e këtij procesi në Fier. Opozita ka paralajmëruar se do të kërkojë rinumërim edhe në qarqe të tjera, nëse gjatë këtyre proceseve dalin në pah shkelje serioze që mund të kenë ndikuar në rezultatin përfundimtar.

Kutitë që do të numërohen:
QARKU TIRANË 1282 kuti
QARKU FIER 587 kuti
QARKU DIBËR 44 kuti
DIASPORA, BERAT 1 kuti./K.C/dritare.net