Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Rama: Shqipëria nuk ka nevojë për më shumë juristë, por për specialistë të bujqësisë dhe mjedisit

Rama: Shqipëria nuk ka nevojë për më shumë

Kryeministri Edi Rama gjatë një vizite në Universitetin Bujqësor të Tiranës (UBT) theksoi se Shqipëria ka nevojë urgjente për profesionistë të fushave që lidhen me bujqësinë, mjedisin, menaxhimin e ujërave dhe ndryshimet klimatike.

“Për juristë nuk ka nevojë Shqipëria, ka plot dhe i teprojnë. Mund t’ia japim edhe Ballkanit apo kontinenteve të tjera”, u shpreh Rama me ironi, duke theksuar se vendi ka nevojë për profesionistët që përgatit UBT.

Ai shtoi se sfida si mungesa e ujit, siguria ushqimore, zhvillimi rural, teknologjitë e reja dhe fatkeqësitë natyrore kërkojnë dije të reja dhe kapacitete ndërdisiplinore. Rama tha se në kontekstin e integrimit europian, këto janë kapituj të veçantë dhe sfidues në negociata, që nuk përballohen me “miell të huaj”, por me “brumin vendas” të përgatitur në universitete si UBT.

“Pa fshat nuk ka qytet. Pa prodhim në fshat nuk mbijeton dot qyteti. Ndaj na duhen njerëz të ditur për teknologjinë, për satelitët, për dronët dhe për të dhënat. Jemi në kohë, por në zgrip të kohës”, deklaroi ai.

Kryeministri vlerësoi bashkëpunimin mes UBT dhe Universitetit BOKU të Austrisë dhe e cilësoi këtë si “mbjellje e një territori me fidanë të rinj të dijes”./L.F-dritare.net