Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Nuk të gëzon më asgjë? Psikiatrja ka një shpjegim: Depresion i fshehur!

Nuk të gëzon më asgjë? Psikiatrja ka një shpjegim:

Lumturia nuk është thjesht një ndjesi e këndshme apo një luks i përkohshëm, është një pjesë themelore e natyrës njerëzore. Kështu thotë Dr. Judith Joseph, psikiatre e certifikuar dhe hulumtuese, e cila prej vitesh studion depresionin.

Në librin e saj të ri "Si të kapërceni depresionin e fshehur dhe të riktheni gëzimin", Dr. Joseph shpjegon se shumë njerëz që duken të suksesshëm dhe të “rregullt” nga jashtë, në fakt janë duke luftuar me boshllëk të brendshëm dhe mungesë dëshire për jetën.

“Ne jemi të ndërtuar me ADN-në e gëzimit. Është e drejta jonë që nga lindja,” tha ajo në një intervistë së fundmi.

Çfarë është depresioni i fshehur?

Depresioni i fshehur është një gjendje e padukshme për shumëkënd: personi duket i suksesshëm në punë, i angazhuar në shoqëri dhe familje, por në brendësi ndjen boshllëk, lodhje emocionale dhe mungesë gëzimi. Dr. Joseph tregon se ajo vetë e ka përjetuar këtë gjendje – veçanërisht në vitin 2020, kur gjithçka në pamje të parë dukej perfekte: një familje e rregullt, një fëmijë i vogël, një karrierë shkencore dhe dalje në media. Por ajo vuante nga anhedonia – paaftësia për të ndier kënaqësi.

“Nuk kisha më ndjesi gëzimi. Në dukje gjithçka ishte në rregull, por unë po vuaja,” rrëfen Joseph.

Shumë persona me këtë gjendje përballen edhe me aleksitimë – vështirësinë për të identifikuar apo shprehur emocionet. Kjo e bën edhe më të vështirë që të kërkojnë ndihmë, pasi nuk arrijnë të kuptojnë se çfarë po ndiejnë.

Si mund të rikthejmë gëzimin?

Përmes përvojës personale dhe hulumtimit shkencor, Dr. Joseph sugjeron një metodë praktike që e quan “Pesë V-të” për të ndihmuar veten të rifitojë lidhjen me gëzimin:

Vlerësimi i emocioneve: Prano si ndihesh. Emërto ndjesinë që përjeton. Mos e injoro.
Shfryrja emocionale: Flet me dikë të besuar për atë që po përjeton, por pyet paraprakisht: “A është një moment i mirë për të ndarë diçka të madhe?”
Vlerat: Mendohu çfarë ka vërtetë kuptim në jetën tënde. Jo karriera apo lavdia, por gjërat që nuk kanë çmim.
Jetike: Gjumi i mirë, ushqyerja e shëndetshme dhe aktiviteti fizik janë themeli i mirëqenies.
Vizioni: Ndërto një të ardhme me gëzim. Lëri pas pengjet e së kaluarës dhe planifiko për më shumë momente që të japin kënaqësi.

Dr. Joseph thekson se nuk duhet të përpiqemi t’i bëjmë të gjitha menjëherë:

“Mos u sillni me këtë proces sikur është një tjetër detyrë pune. Kjo është jeta juaj. Jepini kohë vetes.”

Dallimi mes lumturisë dhe gëzimit

Dr. Joseph bën një dallim të qartë mes lumturisë, e cila është e jashtme dhe kalimtare, dhe gëzimit, i cili është i brendshëm dhe i qëndrueshëm.

“Nuk ke nevojë t’i mësosh një fëmije si të ndjejë gëzim. Ai është brenda nesh që në fillim,” thotë ajo. Gëzimi nuk është një shpërblim që e fitojmë pasi kemi “arritur gjithçka”, por është një e drejtë e lindur që secili prej nesh duhet ta kërkojë dhe ta kultivojë. Edhe në mes të vështirësive. Edhe kur gjithçka duket në rregull nga jashtë, por brenda vetes jemi bosh./L.F-dritare.net