
Miliarderi i pastrehë që ndryshoi botën me filozofinë e tij
Dritare.net
Mediat ndërkombëtare kanë një dobësi për nofkat. Zakonisht i përdorin gazetat sensacionaliste, por gjithnjë e më shumë media serioze tundohen t’i përdorin për të tërhequr një publik më të gjerë që ka uri për të tilla histori. Ata që merren me të pasurit e kësaj bote kanë një zakon thuajse obsesiv: u vënë etiketa.
“Miliarderi i pastrehë” që u bë një bamirës modern!
Nuk qe e vështirë të gjendej një nofkë për Nicolas Berggruen. Edhe vetë ai e bëri të lehtë. Në fillim të viteve 2000, ai shpalli se kishte shitur të gjitha rezidencat e tij luksoze, me qëllimin për të njohur botën nga të gjitha këndet. U ngjit menjëherë etiketa: “miliarderi i pastrehë”. Një oksimoron? Aspak. Pa as edhe një shtëpi, sado modeste, në emrin e tij, dikush mund ta quante realisht të pastrehë. Por me një pasuri që në atë kohë tejkalonte 1 miliard euro dhe që sot është më shumë se trefishuar, nuk flinte pikërisht në stola publike.
Kjo zgjedhje e tij u trajtua nga shtypi që merret me VIP-at si një tekë personale. Një tjetër 40-vjeçar i llastuar, fëmijë të pasurish, që nuk di si t’i shpenzojë paratë dhe merret me filozofi boshe. Por sot, mbi 20 vjet më vonë, perceptimi për Nicolas Berggruen ka ndryshuar në mënyrë rrënjësore. Kryesisht sepse ata që e ndoqën në rrugëtimin e tij kuptuan se ai fliste sinqerisht kur deklaronte: “Nuk më interesojnë aq shumë sendet materiale, sa më intereson mendimi që i krijon ato.”
Berggruen lindi në Paris më 1961, nga babai gjerman, tregtar arti, Heinz Berggruen, dhe nëna aktore, Bettina Moissi. Familja e tij e pasur (i ati njihet si një nga koleksionistët më të rëndësishëm të të gjitha kohërave) i mundësoi të arsimohej në shkolla të shkëlqyera. Që në moshë të re shfaqi interes për filozofinë dhe politikën, duke lexuar Sartre dhe duke shkruar, në moshën 15-vjeçare, një kushtetutë për një shtet utopik. Refuzonte kokëfortë të mësonte anglisht, të cilën e konsideronte gjuhë të imperializmit. Kjo frymë revolucionare e çoi në përjashtimin nga shkolla zvicerane ku studionte. Kjo do të shënonte fillimin e një udhëtimi të gjatë kërkimi që në fund e çoi në botën e biznesit.
Në Nju-Jork, gjatë viteve 1980, Berggruen jo vetëm që mësoi anglishten në mënyrë perfekte, por provoi edhe zgjuarsinë e tij në botën e sipërmarrjes. Si student në Universitetin e Nju -Jorkut, përfitoi nga zhvillimi ekonomik duke investuar vazhdimisht në pasuri të paluajtshme dhe më pas duke shfrytëzuar fitimet për të investuar në aksione dhe fonde spekulative (hedge funds). Në vitin 1985 themeloi kompaninë Berggruen Holdings, e cila u bë një nga organizatat më me ndikim në investime globale. Në vitin 1988, së bashku me miliarderin kolumbian Julio Mario Santo Domingo, themeluan Alpha Investment Management, një nga hedge funds më të suksesshëm në historinë financiare të SHBA-së. Kur e shitën më 2004, vlera e tij kishte kaluar 2 miliardë dollarë.
Midis shumë veprimeve të suksesshme, kishte edhe disa krejt simbolike. Në vitin 2005, bleu me një euro kompaninë gjermane të veshjeve Karstadt, një markë shumë e njohur që po falimentonte. Gjatë pesë viteve pasues, ai investoi mbi 400 milionë euro për ta shpëtuar kompaninë dhe për të ruajtur vendet e punës të 25.000 njerëzve.
Kur në vitin 2000 shpalli se do të shiste të gjitha pronat e tij, shumë njerëz e morën si një shaka. Por kjo eksperiencë e çoi drejt një rilindjeje shpirtërore, duke e kthyer te dashuria e tij e vjetër për filozofinë dhe politikën. I frymëzuar nga Konfuci, Lao Ce dhe Buda, ai rifilloi të shikojë jetën si një seri kapitujsh që kërkojnë rishikim dhe përshtatje të vazhdueshme.
Në vitin 2010 themeloi në Los Anxhelos Institutin Berggruen, me mision promovimin e qeverisjes, demokracisë dhe filozofisë në nivel global. Instituti ka qendra në tri kontinente dhe ka investuar mbi 460 milionë euro. Mbështetës të institutit janë figura të njohura si ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy dhe ish-shefi ekzekutiv i Google, Eric Schmidt.
Instituti publikon Indeksin e Qeverisjes Berggruen, që mat cilësinë e jetës në mbi 145 vende, si dhe jep Çmimin Vjetor të Filozofisë Berggruen, me vlerë 1 milion dollarë, i konsideruar ekuivalent i një Nobel-i për filozofi. Instituti ka ndërmjetësuar gjithashtu takime mes presidentit kinez Xi Jinping dhe politikanëve perëndimorë. Në vitin 2022 organizoi samitin e parë të tij në Venecia për të diskutuar çështje globale si ndryshimet klimatike.
Berggruen shprehet se idetë gjithmonë e kanë tërhequr më shumë se pasuria materiale: “Gjithmonë më kanë interesuar filozofia dhe politika,” thotë ai. Edhe pse zotëron një pasuri rreth 3 miliardë euro, ai beson se trashëgimia e tij më e rëndësishme është përkrahja e mendimit dhe intelektit. Instituti i tij funksionon si një “manastir laik” i shekullit XXI, me qendra në vende si Pekini dhe malet Santa Monica në Kaliforni. Këto vende ofrojnë ligjërata, seminare dhe programe rezidence që nxisin dialogun mes Lindjes dhe Perëndimit.
Nicolas Berggruen nuk është kufizuar vetëm në fushën e qeverisjes dhe filozofisë. Si bir i një prej tregtarëve më të mëdhenj të artit të shekullit XX, ai u rrit i rrethuar nga artistë, intelektualë dhe koleksione të paçmueshme. Kjo trashëgimi formësoi perceptimin e tij estetik dhe intelektual. Sot, ai është një mbështetës aktiv i institucioneve kulturore në mbarë botën.
Ai është drejtues i Muzeut Berggruen në Berlin, themeluar nga i ati dhe i njohur për veprat moderne të artistëve si Picasso, Matisse dhe Giacometti. Gjithashtu është anëtar bordesh të institucioneve prestigjioze si Muzeu i Artit në Los Anxhelos (LACMA) dhe Këshilli për Marrëdhënie me Jashtë (CFR). Përmes këtyre nismave, Berggruen vazhdon një traditë të gjatë filantropie që ndërthur fuqinë ekonomike me përkushtimin për mendimin dhe kulturën./K.C/dritare.net

















