
Nga Ben Andoni
Pak para nisjes të ndeshjes të futbollit për eliminatoret e Botërorit të Shqipërisë kundër Serbisë, regjia u mundua të përfshinte në kuadër vajzat e stisura të ekranit (pa asnjë vlerë për qorrsokakun e sotëm të shoqërisë shqiptare), personalitetet dhe VIP-at shqiptarë, të cilët kishin zënë vendet kryesore në stadiumin Air Albania. E vetmja gjë që do të mbajnë mënd ishin se morën biletë në vend të shumë sportdashësve, njohësve të sportit dhe specialistëve që mbetën për ta parë ndeshjen në ekranin e TV. Pa marrë përsipër të shpjegojmë politikën e ndarjes së biletave nga Federata e Futbollit, personalisht më bën përshtypje sesi ndodh që një masë kinse të privilegjuar marrin gjithnjë bileta në çdo aktivitet sportiv, kulturor, pa pasur asnjë vlerë ose që e kanë përcjellë ndonjë mesazh për shoqërinë shqiptare. Qokat e biletave janë një mënyrë sesi shikohet vlerësimi për njerëzit në shoqërinë tonë, por edhe proces që shërben ta shohësh hierarkinë sociale ireale në vend. Nuk po merremi me emrat, pasi disa media e kanë bërë dhe do ta bëjnë në mënyrë të detajuar por është e lodhshme që emocionin sportivo-kulturor e përcjellin në rreshtin e parë njerëz që nuk ngjallin asnjë emocion.
Dhe, më e lodhshmja nga të gjitha kinse patriotizmi dhe ulërima e daulleve dhe shfrimeve kundër një kundërshtari që tani nuk përfaqëson asnjë gjë për të cilën të mbahet mënd në futboll. Nga ana tjetër, kompleksi patriotik duke shfryrë mbi kundërshtarë që janë të mundur dhe kanë dalë kokulur në luftë është i tepërt. Kujtoni urdhrin që u dha autoriteti ushtarak gjerman serbëve: Keni një orë kohë të largoheni. Dhe, kur kolegu serb kërkoi sqarime, ushtaraku i tha: Tani dhe …minuta! Kurse kujtimi ynë për atë që bënë serbët në fund të viteve ’90 duhet të jetë mënyrë për të parë veten në mënyrë që të mos përsëritim të shkuarën e kaluar, mbushur me pogron, vdekje e trauma, por të jemi zgjuar në Kosovë e Shqipëri. Ndërkohë rishikimi i kësaj kohe, mosgjetja e të zhdukurve, mungesa e empatisë për njerëzit e UÇK-së që janë në Hagë dhe mbi të gjitha mos shikimi i asaj që po ndodh në Kosovë e bën këtë kinse patriotizëm të lodhshëm dhe të stisur.
Do të ishim të besueshëm po të ishim po kaq nacionalistë kundër Turqisë që na katandisi në shekuj ata që jemi sot; Italisë që na dogji dhe na ka pushtuar; Gjermanisë që e plugoi Shqipërinë në Luftën e Dytë Botërore. Po për këtë s’ka vend në banderolat e patriotizmit. Për shqiptarët e serbët matanë ka ende burime që janë të etur të kemi këtë marrëdhënie që vendet tona të jetojnë në këtë terr, paçka se tregtarët dhe investitorët e dy vendeve (me zgjuarsinë e tyre vazhdojnë) punojnë të patrazuar, artistët bashkëpunojnë rregullisht, ndërsa sportistët kudo që janë bashkëpunojnë. Shqipëria ka disa prej tyre në ekipet tona dhe madje protagonistë të mirë.
Kinse patriotizmi u harrua pak orë pas ndeshjes, në realitetin kur Shqipëria dhe Kosova nuk përmbyllin dot respektivisht pas 1 muaj e katër muajsh proceset zgjedhore me institucionet e tyre politike. Kinse patriotizmi nuk gjen një fjalë për hajdutët e dy vendeve tona, që na vjedhin dhe që pasurohen para syve tanë dhe që nuk u hyn gjembi në këmbë. Kinse patriotizmi tregon deficitin e dashurisë për atdheun tonë Shqipërinë dhe Kosovën e re që tashmë janë të mbushura me plagët e hajnave shumë më tepër sesa të shkive. Po për të gjitha këto s’ka vend në banderolat e tifozëve, duke na bërë njësoj primitivë si nacionalistët serbë që nuk dinë asgjë për shqiptarët dhe çirren kot, bashkë me Vuçiq që e çoi përfaqësuesen e vet si para një lufte! E që në fund në Tiranë i priste teatri i mbushur me shumë kinse që iu mundësua bileta thjesht se dalin e thonë mbroçkulla në TV apo që janë të njohur prej mediave sociale dhe u duhen konjukturave të shefit të Federatës. Po kjo është një hapësirë tjetër, ku mbret është Duka, i plotfuqishmi i Federatës dhe çdo gjëje që lidhet me futbollin shqiptar…me qokat e biletave, i takon thjesht atij dhe askujt tjetër./dritare.net

















