

The Telegraph
Dikur ishte Italia që njihej për qeveri të paqëndrueshme dhe kriza të njëpasnjëshme politike. Sot është Franca që po përjeton një situatë të ngjashme, me presidentin Emmanuel Macron që ka humbur tashmë tre kryeministra në pak më shumë se një vit dhe shtatë që prej vitit 2020.
Ndërkohë në Itali, kryeministrja Giorgia Meloni po i afrohet vitit të tretë të mandatit të saj, duke u bërë kryeministrja më jetëgjatë që nga koha e Silvio Berlusconit.

Nga “deficiti italian” tek kriza franceze
Italia dikur akuzohej si vendi i “shpenzimeve të pakontrolluara” në BE, por sot është një shembull i disiplinës fiskale. Borxhi publik italian qëndron në 138% të PBB-së, ndërsa i Francës në 114%. Megjithatë, Roma ka arritur të ulë deficitin në 3.4% të PBB-së, ndërsa në Francë pritet të arrijë 5.4% këtë vit.
Komisioni Europian ka hapur procedurë disiplinore ndaj Parisit, ndërkohë që Italia synon të dalë prej saj deri më 2027.
Kriza politike në Francë
Përplasjet politike kanë paralizuar qeverisjen franceze. Pas humbjes në zgjedhjet europiane, Macron shpalli zgjedhje të parakohshme, por ato përfunduan me një parlament ku partia e Marine Le Pen doli forca më e madhe. Rezultati i dobësoi më tej pozitën e presidentit dhe solli largimin e njëpasnjëshëm të kryeministrave Gabriel Attal, Michel Barnier dhe François Bayrou.
Italia, më tërheqëse për investitorët
Stabiliteti i Melonit ka tërhequr investime të reja, me punësimin në nivele të larta dhe politika fiskale tërheqëse, si tatimi i sheshtë për ekspatët. Deklaratat e kryeministrit francez për “dumping fiskal” u kundërshtuan nga Meloni, e cila theksoi se “ekonomia italiane është më tërheqëse dhe më e besueshme”.
Një model për Francën?
Analistët vlerësojnë se kursi i ri i disiplinës fiskale në Itali mund të shërbejë si model për Francën, që aktualisht përballet me një krizë të thellë politike dhe financiare. Suksesi i Melonit mund të frymëzojë edhe mbështetësit e ekstremit të djathtë francez, të cilët shohin tek Le Pen një mundësi për të ndjekur “rrugën italiane” në zgjedhjet e ardhshme./L.F-dritare.net

















