Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Ergys Mërtiri: Politikanët e rinj sakrifikojnë PD-në për një karrige në parlament!

Ergys Mërtiri: Politikanët e rinj sakrifikojnë PD-në

Analisti Ergys Mërtiri ka bërë një deklaratë të fortë gjatë intervistës në emisionin “Dekalog” nga gazetari Roland Qafoku në DritareTV, ku ka analizuar gjendjen aktuale në Partinë Demokratike dhe krizën e saj të vazhdueshme.

Sipas Mërtirit, liderët dhe eksponentët kryesorë të PD-së janë plotësisht të vetëdijshëm se me Sali Berishën në krye nuk kanë asnjë mundësi të vijnë në pushtet. Megjithatë, ata zgjedhin të mos e pranojnë hapur këtë realitet, duke vënë përpara interesin personal dhe politikën e mbijetesës.

“Ata e dinë që nuk vijnë në pushtet dhe ky është problemi. Problemi janë këta të tjerët që ndjekin hallin e Berishës dhe në fakt edhe ata kanë hallin e vet. Halli i tyre është një karrige në parlament dhe për një karrige janë gati t’ia vënë zjarrin partisë,” deklaroi Mërtiri.

Duke folur për politikanë të rinj brenda PD-së, ai solli në vëmendje rastin e Belind Këlliçit, për të cilin tha se është i ndërgjegjshëm që me Berishën nuk mund të fitohet, por nuk guxon ta thotë këtë të vërtetë, pasi në të kundërt rrezikon karrierën politike.

“Belind Këlliçi nuk është i paaftë të kuptojë se me Berishën nuk shkohet në pushtet. Ai e di, por nëse del kundër tij, e humb karrigen në parlament dhe me kaq mbaron karriera e tij politike,” shtoi Mërtiri. “Në atë parti është ndërtuar një sistem ku nëse nuk i nënshtrohesh liderit në mënyrë të pakushtëzuar, përjashtohesh. Kjo është arsyeja pse shumë politikanë zgjedhin të qëndrojnë në hije dhe të mos flasin.”

Mërtiri përmbylli intervistën duke theksuar se sa kohë që në opozitë mbizotëron frika dhe interesat personale, nuk mund të ketë një projekt serioz për ndryshim dhe përballje reale me pushtetin./K.C/dritare.net