Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Elena Kocaqi ka një mesazh për daljen në “Shqip” të Agim Vincës!

Elena Kocaqi ka një mesazh për daljen në “Shqip”

Poeti dhe studiuesi i letërsisë shqipe Agim Vinca i ftuar në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTv foli me tone të ashpra për pseudogjuhëtarët, që ai i quan turboetimologët që po dëmtojnë shqipen. Në një moment profesor Vinca përmendi edhe një rast që i kishte ndodhur me librin e zonjës Elena Kocaqi, që ai thotë se ishte shkruar pa “ë” dhe “ç”. Studiuesi thotë se Kocaqi flet për origjinën e shqipes, por vret gjuhën e sotme duke mos i përdorur këto shkronja të alfabetit.

Shprehimisht profesori tha: “Kam parë një libër të Elena Kocaqit, që nuk e njoh personalisht, në bulevardin e Strugës. Libri mbronte tezën e origjinës pellazge të shqipes, por fund e krye nuk kishte asnjë “Ë”. Shkronja “Ë” e cila është germa që përdoret më shpesh në gjuhën shqipe, në atë libër nuk përdorej fare. Mbrojmë origjinën, por vrasim gjuhën e sotme. Kush na lejon ne ta reduktojmë alfabetin e gjuhës shqipe që e kanë bërë ata burra të mëdhenj duke i hequr ë-në dhe ç-në?”

Pas kësaj deklarate ka ardhur reagimi nga vetë studiuesja Elena Kocaqi, me një shkrim të botuar në profilin e Facebook-ut, të cilin e nis me titullin:

“Gjuha është ajo që flet populli!

Kushdo që përqesh një shqiptar dhe i thotë atij se, ti nuk njeh dhe nuk di gjuhën shqipe, është thjeshtë një qënie injorante, mjerane dhe anti shqiptare. Të gjithë shqiptarët pavarsisht dialektit dhe nëndialektit flasin dhe dinë gjuhën shqipe shumë mirë. Gjuhëtarët komunist duhet të kuptojnë një herë e mirë se, gjuha është ajo që flet populli dhe jo ajo që mendojnë gjuhëtarët, se si duhet të flasi fjalët një popull. Gjuha e popullit është pasuria e vërtet gjuhësore, sepse ka qënë e folura që ka ruajtur gjuhën dhe jo ajo që gjuhëtarët duan t'i imponojnë popullit. Gjuha zyrtare është thjesht byrokratike dhe ajo kurre nuk mund dhe nuk duhet të zëvendësoj të folurën e vatrës. Sa për ata që janë plakur e nuk kanë mësuar ende etikën dhe edukatën qytetare, dhe që më përgojojnë nëpër studio televizeve, thjesht iu themë se nuk e meritoni vëmendjen time dhe ju bëj nder po t'iu përmend emrin. Une kam studime historike, ku kam trajtuar edhe historinë e gjuhës, ndërsa ju nuk e keni idenë fare sesi kryhet një studim historik dhe gjuhësor dhe meqë nuk dini merreni me lapsuse shtypi dhe jo me thelbin e studimeve. Shpesh studimet e mija kopjohen dhe shpërndahen dhe unë nuk mund të mbaj përgjegjësi për cilësinë e shkrimeve që as nuk i kontrolloj.
Gjithësesi, njohja e gjuhës nuk përcaktohet nga lapsuset e botimeve, ku mungojnë pikat mbi ndonjë ë të vendosur në fjalë nga gjuhëtarët vënd e pa vënd. Në shkencën historike njeriu vlersohet për faktet dhe argumentet që sjell. Në shkencë njeriu nuk merret fare me epitetimin e njeriut, por me kritiken e mendimit bazuar mbi fakte dhe argumente, se ndryshe opinioni nuk ka asnjë vlerë. Opinioni personal nuk të bënë shkencëtar, kur nuk ke asnjë studim për fushën, siç nuk ka një tip qe më ka përgojuar nëpër studio, ku unë nuk kam qënë prezent.”, shkruan Kocaqi në Facebook.

Është e qartë sa të drejtë ka profesor Vinca për mungesën e njohjes së rregullave bazë të drejtshkrimit nga zonja Kocaqi./K.C/dritare.net

Elena Kocaqi ka një mesazh për daljen në “Shqip”