Ilaçet për dobësim dhe dilema e ndalimit: Çfarë ndodh kur rikthehet uria?
Dritare.net

Injeksionet për humbje peshe, kanë sjellë një revolucion për shumë njerëz që për vite me radhë kanë luftuar me peshën. Ato kanë bërë të mundur atë që dietat dhe përpjekjet tradicionale shpesh nuk e arrinin: kanë shuar urinë dhe nxitjen e vazhdueshme që i shtyn njerëzit të hanë edhe kur janë të ngopur. Por dilema e madhe sot është se çfarë ndodh kur këto ilaçe ndalohen.
Tanya Hall, menaxhere shitjesh në industrinë e fitness-it, e përshkruan ndalimin e injeksioneve si një përvojë tronditëse. Ajo tregon se sa herë ka tentuar të ndërpresë Wegovy-n, brenda pak ditësh rikthehet një uri e fortë dhe e pakontrollueshme. “Është sikur ndizet një çelës dhe papritur je gjithmonë i uritur,” shprehet ajo. Brenda 18 muajve, Tanya ka humbur rreth 38 kilogramë, por rrugëtimi nuk ka qenë i lehtë. Ajo ka përjetuar të përziera, pagjumësi, dhimbje koke dhe rënie të flokëve, efekte që lidhen shpesh me humbjen e shpejtë të peshës.
Megjithatë, frika e rikthimit të peshës e ka shtyrë Tanyan të vazhdojë trajtimin. Ajo pranon se ndihet më e sigurt dhe më në kontroll, por njëkohësisht pyet veten nëse është ajo që kontrollon ilaçin apo e kundërta.
Një histori tjetër është ajo e Ellen Ogley, e cila e pa përdorimin e injeksioneve si një mundësi të fundit për të shpëtuar shëndetin. Ajo nisi Mounjaro-n pasi mbipesha e kishte vënë në rrezik serioz përpara një ndërhyrjeje kirurgjikale. Për Ellen, injeksionet bënë që ngrënia emocionale dhe dëshira e pakontrolluar për ushqim të zhdukeshin. Kjo i dha asaj hapësirën e nevojshme për të ndryshuar marrëdhënien me ushqimin, për të mësuar mbi ushqyerjen e shëndetshme dhe për të futur aktivitetin fizik në jetën e përditshme.
Pas 16 javësh përdorimi dhe një periudhe uljeje graduale të dozës, Ellen humbi mbi 22 kilogramë. Edhe pse pas ndalimit pa një shtim të lehtë në peshë, ajo thotë se ka arritur ta menaxhojë situatën dhe të vazhdojë të dobësohet falë zakoneve të reja që ndërtoi gjatë trajtimit.
Sipas mjekut të stilit të jetesës, Dr Hussain Al-Zubaidi, ndalimi i menjëhershëm i ilaçeve për dobësim mund të jetë shumë i vështirë. Ai paralajmëron se uria mund të rikthehet brenda ditës së parë dhe se brenda 1 deri në 3 vite, 60–80% e peshës së humbur mund të rikthehet.
Ekspertët nënvizojnë se këto ilaçe janë ende relativisht të reja dhe efektet e përdorimit afatgjatë po studiohen. Ndërkohë, kostoja e lartë, sidomos për ata që i paguajnë privatisht, e bën edhe më të ndërlikuar vendimin për të vazhduar ose ndaluar trajtimin.
Historitë e Tanyas dhe Ellenit tregojnë se nuk ka një zgjidhje të vetme për të gjithë. Për disa, injeksionet GLP-1 janë një zgjidhje afatgjatë; për të tjerë, një mjet i përkohshëm për të ndërtuar zakone të reja. Ajo që mbetet e qartë është se lufta me peshën nuk mbaron me një injeksion dhe se ndryshimi i stilit të jetesës është po aq e rëndësishme sa vetë ilaçi./L.F-dritare.net