Studiuesi: Elena Kocaqi nuk njeh shqipen, por flet për origjinën e saj!
Dritare.net
Poeti Agim Vinca i ftuar në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV foli i revoltuar për pseudogjuhëtarët që po dëmtojnë shqipen e sotme. Studiuesi i letërsisë shqipe thotë janë disa turboetimologë që flasin për origjinën e shqipes, por në fakt po dëmtojnë shqipen e sotme.
“Peticioni për gjuhën shqipe kishte dy mesazhe. Njëri për kundërvënie të kësaj pseudoshkencës, këtyre turboetimologëve që nuk kanë njohuri elementare për etimologjinë sepse është disiplina më e vështirë e shkencës së gjuhësisë. E dyta për mbrojtjen e gjuhës së sotme. Lidhen të dyja.
Isha në Zvicër në një panair libri, ishin edhe dy nga këta turboetimologët.
Këta po na nxjerrin si populli më i lashtë në botë dhe shqipen si gjuha e parë e botës me të cilën fillon gjithçka. U thashë: “Zotërinj ju doni ta nxirrni shqipen bijë të pellazgjishtes. Keni të drejtë, por ne mbrojmë tezën ilire të origjinës së shqipes, për të cilën ka disa argumente. Ju nuk po kujdeseni për shqipen e sotme.”
Ata thonë që Eqerem Çabeji e ka reduktuar fondin e fjalëve në 8%. Fondi i fjalëve të shqipes nuk përcaktohet vetëm nga një fjalë.
Kam parë një libër të Elena Kocaqit, që nuk e njoh personalisht, në bulevard në Strugë. Libri mbronte tezën e origjinës pellazge të shqipes, por fund e krye nuk kishte asnjë “Ë”. Shkronja “Ë” nuk përdorej fare. Mbrojmë origjinën, por vrasim gjuhën e sotme. Kush na lejon ne ta reduktojmë alfabetin e gjuhës shqipe që e kanë bërë ata burra të mëdhenj duke i hequr ë-në dhe ç-në?”, thotë profesori në DritareTV./K.C/dritare.net