Agim Vinca: Jemi kthyer në popull ksenomaniakë. Duam gjuhën e huaj, jo shqipen!
Dritare.net
Agim Vinca poet dhe studiues i gjuhës shqipe mendon se shqiptarët nga një popull ksenofob, që e cilësonte diçka të jashtme rrezik për vendin, tashmë është kthyer në një vend ksenomaniak, që e do të huajën më shumë se të vetën.
Zoti Vinca e sheh me shqetësim të madh përdorimin e gjuhës së huaj në Shqipëri, duke e cilësuar si një rrezik të madh për gjuhën shqipe. Nga emrat e fëmijëve, te emrat e lokaleve, bareve apo edhe në menytë e restoranteve shqiptare, zoti Vinca thotë se po e harrojmë shqipen, dhe nuk po e trashëgojmë atë!
“Emri nuk e bën njeriun, por njeri emrin. Emri është pjesë e identitetit të dikujt.
Ne shqiptarët jemi një komb i vogël me histori dhe me problemet që po na shfaqen në këto kohëra, herë-herë të pakuptueshme dhe duhet të kemi kujdes shumë edhe në këtë drejtim. Njeriu kur prezantohet, më së pari shqipton emrin e tij. Po dëgjoja një emision shqip ku nga 12 fëmijë vetëm 2 kishin emra shqiptarë. Është shfaqur në modë përdorimi i emrave të huaja, anglezë, anglo-amerikanë, italianë madje edhe izraelitë. Xhoel për shembull. Mendoj se kjo është një problem për të cilin duhet të reflektojmë.
Popujt e tjerë me emrin tregojnë edhe origjinën. Unë mendoj se në botën shqiptare është shfaqur një problem, ksenofobia. Dikur çdo gjë e huaj për vendin cilësohej një rrezik. Tani ne kemi shkuar nga një ekstrem në një tjetër. Ne shqiptarët si komb nga një popull ateist, jemi kthyer te feja, në kisha e xhamia. E drejta e besimit, është e pakontestueshme për çdo qytetar por unë mendoj se kjo po dëmton kohezionin shpirtëror të kombit. Ka shqiptarë myslimanë në Kosovë, që thonë më së pari unë jam mysliman se sa shqiptar. Për mua kjo është problem.
Nuk e kanë thënë më kot rilindasit tanë, që feja e shqiptarit është shqiptaria. Ndaj emri është shumë i rëndësishëm dhe mendoj se kjo shtrihet jo vetëm te emrat e fëmijëve tanë, te pasardhësit, por edhe në emrat e lokaleve, emisioneve”u shpreh poeti Agim Vinca në Dritare TV./L.F-dritare.net