Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Të pathënat e krimit shqiptar. Flasin studiuesit e kriminalistikës!

Të pathënat e krimit shqiptar. Flasin studiuesit e

Në një analizë për Dritare TV, dy studiues të rinj të kriminalistikës nga Maqedonia e Veriut, Jeton Selimi dhe Rijad Bejtulla, kanë shpalosur realitetin e zymtë dhe shpesh të keqkuptuar të krimit të organizuar shqiptar. Të ftuar për të prezantuar librin e tyre të ri që pritet të botohet së shpejti, autorët, kanë zbërthyer mitet që rrethojnë 'Mafian Shqiptare', duke u ndalur në dallimet rajonale mes Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, si dhe në transformimin sociologjik të botës së krimit.

Një nga pikat qendrore të diskutimit ishte krahasimi gjeografik i tipologjisë së krimit. Sipas studiuesve, ndërsa Shqipëria shërben si një portë kryesore për trafikun e lëndëve narkotike për shkak të daljes në det dhe afërsisë me Italinë, Kosova dhe Maqedonia e Veriut janë më të fokusuara në kontrabandën e armëve dhe qenieve njerëzore. Megjithatë, ajo që i bashkon këto treva është brutaliteti i grupeve kriminale, një tipar që sipas analizës së tyre, është më i theksuar te grupet me origjinë nga Shqipëria, shpesh për shkak të hierarkisë më të ngurtë dhe lidhjeve historike me organizatat italiane si Camorra apo Ndrangheta.

Intervista preku një plagë të thellë sociale: origjinën e kapitalit fillestar të shumë grupeve kriminale. Gazetarja Rudina Xhunga duke cituar intervistat e saj me figura si Roberto Saviano dhe Arbër Xhaferri, solli në vëmendje faktin tronditës se themelet e shumë pasurive të sotme, përfshirë ndërtimet luksoze, janë ngritur mbi shfrytëzimin e vajzave shqiptare për prostitucion gjatë viteve '90.

Kjo periudhë e errët shënoi edhe rënien përfundimtare të mitit të 'Besës' dhe Kanunit; sot, krimi nuk njeh kode nderi, por vetëm interesa financiare, ku vëllai mund të vrasë vëllain për prishje të pazareve të drogës. Autorët trajtuan gjithashtu fenomenin shqetësues të vrasësve me pagesë dhe gjobëvënies. Ata theksuan se profili i vrasësit me pagesë ka ndryshuar, duke u bërë më i rrezikshëm për shkak të banalizimit të jetës njerëzore, ku krime të rënda kryhen për shuma qesharake ose thjesht për 'nder'. Në fund, biseda u mbyll me një notë shprese, duke vlerësuar punën e institucioneve të reja të drejtësisë si SPAK, të cilat po fillojnë të lëkunden themelet e pandëshkueshmërisë, duke rikthyer besimin se shteti mund të jetë më i fortë se krimi./dritare.net