Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Drita jeshile nga Evropa: Shqipëria vlerësohet për drejtësinë dhe luftën kundër korrupsionit

Drita jeshile nga Evropa: Shqipëria vlerësohet për

Parlamenti Europian ka miratuar me 502 vota pro nga 686 eurodeputetë të pranishëm në sallë Raportin 2023–2024 për Shqipërinë, hartuar nga eurodeputeti austriak Andreas Schieder.

Raporti vlerëson progresin e vendit në forcimin e pavarësisë së gjyqësorit, në thellimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke përmendur veçanërisht punën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Eurodeputetët nënvizojnë se Shqipëria po kryeson mes vendeve të Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimit europian.

Megjithatë, dokumenti përmban edhe kritika për polarizimin e vazhdueshëm politik në vend, i karakterizuar nga retorika konfrontuese mes palëve, dhe nxit dialog politik më konstruktiv dhe gjithëpërfshirës.

Miratimi i raportit u përshëndet edhe nga kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, e cila thotë se është një vlerësim për progresin e Shqipërisë në rrugën drejt BE. Kryeparlamentarja thekson se mirëpresin rekomandimet për të thelluar më tej reformat.

“Ky raport përbën një vlerësim të rëndësishëm politik dhe institucional të progresit të Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe konfimon mbështetjen e gjerë që procesi i zgjerimit gëzon në Parlamentin Europian. Ne mirëpresim raportin e Parlamentit Europian, vlerësojmë rolin e tij konstruktiv dhe mbështetës, dhe falënderojmë eurodeputetët për ndjekjen me vëmendje të zhvillimeve në Shqipëri dhe në rajonin e Ballkanit.

Në mënyrë të veçantë, dëshiroj të ritheksoj mirënjohjen tonë për raportuesin për Shqipërinë, Andreas Scheider, për angazhimin e njëmëndtë, qasjen objektive dhe të balancuar si ndaj të arritjeve ashtu dhe sfidave që kemi përpara dhe mbi të gjitha bashkëpunimin e përpjekjet e përbashkëta. Ne vlerësojmë gjuhën inkurajuese të raportit, si në pasqyrimin e qartë të reformave dhe arritjeve të Shqipërisë në dy vitet e fundit, ashtu edhe për fushat ku ka nevoje të bëjmë më shumë, më shpejt e më mirë”, shkruan Spiropali./K.C/dritare.net