
Dhimbje në Fier, babai humb jetën në aksident, dy vajzat shkojnë pa të në ditën e parë të shkollës!
Dritare.net
Dhimbje e madhe në Fier, ku fillimi i vitit të ri shkollor u shoqërua me mungesën e një prindi. Dy vajza të vogla, Nikita dhe Fjonisa, shkuan në ditën e parë të shkollës vetëm me nënën e tyre, Kristina, pasi babai i tyre, Kreshnik Tomani, 35 vjeç, humbi jetën në një aksident tragjik rrugor më 24 gusht. Ato ecnin përkrah nënës së tyre, e cila mban në krahë edhe foshnjën 9-muajshe, duke përjetuar dhimbjen më të madhe në një ditë që për çdo fëmijë duhet të ishte festë.
Çfarë ndodhi në aksidentin tragjik
Më 24 gusht, Kreshnik Tomani humbi jetën si pasojë e një aksidenti rrugor ku u përfshi një 17-vjeçar. Ngjarja tronditi Fierin dhe la pas dhimbje të madhe për familjen e re që humbi shtyllën e saj. Sipas dëshmive të dhëna, gjithçka ndodhi në mënyrë të papritur, duke i marrë jetën një babai të ri, të cilit i ishin besuar ëndrrat dhe e ardhmja e fëmijëve.
Një thirrje për përgjegjësi: ta quajmë “krim në rrugë”
Ky aksident nuk është i vetmi. Çdo javë, në rrugët e Shqipërisë, ka drama e tragjedi familjare, për shkak të pakujdesisë, shpejtësisë dhe mungesës së kontrollit. fëmijë të vegjël mbeten pa prindërit e tyre, ndërsa autorët shpesh shpetojne pa pasoja.
Prandaj, Dritare.net ngre zërin që tragjedi te tilla të mos mbeten thjesht statistika. Ato janë “krimet në rrugë” që duhet të na ndalojnë për të reflektuar. Sepse pas çdo shifre, ka fytyra, ka jetë, ka fëmijë që presin më kot dorën e prindit në ditën e parë të shkollës./dritare.net

















