
Braçe: Shoferët e dehur nuk duhet të gjykohen për aksident, por për vrasje
Dritare.net
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar ashpër pas ngjarjes së rëndë ku dy vajza të reja humbën jetën dhe një tjetër u plagos në një aksident rrugor.
Në një postim publik, Braçe shprehet se nuk mund të quhet “aksident” rasti kur një shofer i dehur, me shpejtësi të lartë dhe në parakalim të gabuar përplas makinën në korsinë e tjetrit. Sipas tij, ky veprim është “vrasje me pasojë vdekjen” dhe jo thjesht aksident rrugor.
Braçe: Duhet ndryshuar Kodi Rrugor dhe Kodi Penal
“Nuk është aksident! Është vrasje me pasojë vdekjen e dy vajzave të reja dhe plagosjen e një të treti. Kodi ynë rrugor e kodi ynë penal nuk e njohin këtë nocion, ndërkohë që në rrugë ndodh si vrasje me dashje madje. Duhet të ndryshojmë dy ligjet sa më parë,” theksoi Braçe.
Deputeti ngriti pyetje të forta edhe mbi hetimin dhe gjykimin e ngjarjes, duke nënvizuar se nuk mjafton arrestimi i shoferit, por duhet një kategorizim më i rreptë ligjor i rasteve të tilla.
Përgjegjësia e punonjësve të shtetit
Braçe shtoi gjithashtu se nëse autori i tragjedisë është punonjës i Ministrisë së Brendshme, kjo e bën edhe më të domosdoshëm miratimin e një ligji të ri që të përcaktojë përgjegjësi shtesë për punonjësit e shtetit jashtë orarit të punës.
“Me ligj çdo punonjësi shteti duhet t’i ngarkohen përgjegjësi dhe t’i kufizohen akte që kanë në thelb paligjshmërinë, duke përdorur fuqinë e të qenit në një zyrë shteti. Kjo nuk duhet të ndodhë më,” shkroi ai, duke sjellë në kujtesë edhe raste të tjera ku punonjës të shtetit kanë abuzuar me detyrën apo mjetet e punës.
Thirrje për veprim urgjent
Në përfundim të reagimit, Braçe kërkoi që Kuvendi dhe qeveria të ndërmarrin sa më shpejt ndryshime ligjore për të forcuar përgjegjësinë në aksidentet rrugore të shkaktuara nga shoferë të papërgjegjshëm, si dhe për të rritur standardet e sjelljes së punonjësve të shtetit në publik./L.F-dritare.net

















