
Kreu i PD, Sali Berisha zhvilloi një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale, ku u ndal tek fushata elektorale e 11 majit. Berisha ftoi sërish Ramën në debat publik, edhe pse kryesocialsiti e ka refuzuar disa herë ftesën e tij, duke thënë se me kë të bëjë debat “me bufin që është në rrjedhje të lirë”.
Berisha akuzoi Edi Ramën se nuk lejon kandidatët e tij që të dalin në debate me rivalët e Aleancës për Shqipërinë Madhështore. Berisha tha se nuk dalin në debate pasi nuk kanë çka tu servirin shqiptarëve si program.
“Keni shtruar një çështje shumë madhore. Censura dhe hapat drejt saj, janë hapa drejt diktaturës. Autokratët nuk durojnë dot kritikat, bëjmë gjithçka për të fshehur vendimet dhe veprimet e tyre. U garantoj se data 11 maj, i jep përgjigjen më përfundimtare dhe më të mirë kësaj praktike të ekstremit të majtë, por në që në fakt në rastin e Shqipërisë, është të narkoshtetit shqiptar në raport me transparencën dhe komunikimin.
Ju e shifni se si, Edi Rama refuzon në mënyrë të prerë debatin publik me Sali Berishën. Unë përsëri e ftoj atë, jo se kam ndonjë dëshirë të veçantë të përshëndetem me të, por e bëj këtë pikërisht për hir të transparencës para qytetarëve shqiptarë dhe interesit të tyre. Ai ka bllokuar jo vetëm veten e tij, por ka bllokuar të gjithë kandidatët e tij që nuk lejohen të dalin me rivalët e Aleancës për Shqipërinë Madhështore, mbasi nuk kanë asgjë çka tu servirin shqiptarëve si program, dhe nuk kanë asnjë justifikim për dështimet vjedhjet dhe abuzimet masive që kanë bërë në 12 vite”, tha Berisha./E.P-dritare.net

















