
Barbie lançon kukullën e parë me diabet tip 1
Dritare.net
Barbie ka prezantuar një nga modelet e saj më të veçanta – kukullën e parë me diabet tip 1, një nismë që synon të rrisë ndërgjegjësimin dhe të përfaqësojë më mirë realitetin e miliona fëmijëve që jetojnë me këtë sëmundje kronike.
Kukulla është e pajisur me teknologji që përdorin zakonisht personat me diabet tip 1: një monitor të vazhdueshëm të glukozës (CGM) dhe një injektues insuline. Këto pajisje punojnë së bashku për të ndihmuar në kontrollin e niveleve të sheqerit në gjak, duke i treguar përdoruesit sasinë e glukozës dhe duke administruar dozën e saktë të insulinës në kohë reale.
Veshja e kukullës përmban një bluzë dhe fund me pika blu, një zgjedhje që nuk është rastësore: ngjyra blu dhe rrethi janë simbole ndërkombëtare për ndërgjegjësimin ndaj diabetit.
Prezantimi i kësaj kukulle u bë edhe më i veçantë nga fakti që supermodelja Lila Moss, e cila vetë jeton me diabet tip 1, ishte personi i parë që u takua me kukullën e re. Moss ka qenë një zë i fortë për ndërgjegjësimin ndaj diabetit dhe ka paraqitur pajisjet e saj mjekësore edhe në pasarela ndërkombëtare.
Kjo nismë nga Barbie është përshëndetur gjerësisht si një hap i rëndësishëm drejt përfshirjes, edukimit dhe normalizimit të jetës me diabet, duke i ndihmuar fëmijët që të ndihen të përfaqësuar dhe të pranuar, ashtu siç janë./L.F-dritare.net

















