
Amaneti i Dhimitër Anagnostit: Ku e dua varrin tim!
Dritare.net
Dhimitër Anagnosti, mjeshtër i madh i kinemasë shqiptare, la pas jo vetëm filma të pavdekshëm, por edhe vargje që sot lexohen si një testament i shpirtit të tij. Në librin Treni ADN, ai botoi poezi edhe ese të jashtëzakonshme, që tingëllojnë tani si amaneti i fundit i një njeriu që e kuptoi thellësisht jetën dhe ikjen.
“A vdes njeriu?” reflektim përjetësie
Në këtë ese Anagnosti pyet veten dhe ne të gjithë: a vdes njeriu vërtet? Përgjigjja e tij është e qartë: biologjikisht jo. ADN-ja udhëton në përjetësi, kujtesa kolektive ruan shërbimet e tij, dhe vlerat që ai krijoi mbeten pjesë e shoqërisë. “Në memorien e brezave që vijnë njeriu jeton,” shkruan ai, duke na kujtuar se pavdekësia nuk është vetëm biologjike, por edhe morale e kulturore. Ai i afrohet Sokratit kur thotë se ikja është si një gjumë i rëndë nga i cili nuk do të zgjohemi më. Por, a është vërtet kështu? Pyetja mbetet e hapur, si një sfidë ndaj vetë lexuesit.
“Varrin e dua të thjeshtë” – poezia amanet
Në kete poezi Anagnosti flet drejtpërdrejt për fundin e vet. Ai nuk do madhështi, por një thjeshtësi që i shkon shpirtit të tij: një gur nga bregu i Jalit, dallgësh i rrahur nga koha, një kryq bronzi dhe mbishkrimi më i thjeshtë: “Lindi – Vdiq”. Dhe, në një gjuhë intime e të butë, ai premton se përtej kohës do të nisë një lundrim tjetër, plot shtegtime e zbavitje. Një mesazh që tingëllon si shpresë, si qetësi dhe si një përqafim i fundit me jetën.

















