Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Altin Dumani: Jam krenar për punën e SPAK!

Altin Dumani: Jam krenar për punën e SPAK!

Më 18 dhjetor, Altin Dumani përfundon zyrtarisht mandatin si drejtues i Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK), duke ia dorëzuar detyrën Klodian Brahos, i cili u zgjodh një ditë më parë me 7 votat pro të anëtarëve të KLP-së. Në një bashkëbisedim me studentë në Durrës, Dumani bëri një bilanc të tre viteve në krye të institucionit, duke e cilësuar periudhën si “të vrullshme, intensive dhe nder të madh profesional”.

Dumani: “Askujt nuk i është kursyer ligji”

Në fjalën e tij, Dumani nënvizoi se SPAK ka arritur pjekurinë dhe konsolidimin institucional, duke theksuar se askush nuk është i paprekshëm para drejtësisë.

“SPAK ka ngritur akuza për zyrtarë të nivelit të lartë, nga funksionarë të lartë shtetërorë, deri te drejtues vendorë, gjyqtarë, prokurorë, kryebashkiakë dhe funksionarë të Policisë së Shtetit,” – u shpreh ai.
Sipas Dumanit, mbi 50% e çështjeve që kanë përfshirë zyrtarë të lartë janë mbyllur me vendime të formës së prerë, duke treguar efektivitet dhe profesionalizëm të prokurorëve të posaçëm.

Presioni politik dhe reagimi i SPAK

Dumani pranoi se prokurorët janë përballur me presione politike, por theksoi se ato nuk kanë ndikuar në vendimmarrje:

“Presioni politik ka qenë publik dhe i shpeshtë, por prokurorët e posaçëm kanë pjekurinë dhe integritetin për t’i rezistuar. Vendimet tona udhëhiqen vetëm nga ligji dhe provat.”
Alarmi për mandatin e prokurorëve të SPAK: “Shqipëria s’ka luks të humbasë profesionistët”
Një tjetër çështje që Dumani ngriti ishte ajo e mandateve 9-vjeçare të prokurorëve të posaçëm, të cilëve, sipas tij, duhet t’u jepet mundësia të rikandidojnë pas përfundimit të mandatit. Ai paralajmëroi se në vitin 2028 skadon mandati i 8–9 prokurorëve, ndërsa të tjerëve u mbaron në vitin 2026, duke krijuar një boshllëk serioz në SPAK.

“Janë investuar shumë për këta prokurorë, nga shteti dhe partnerët ndërkombëtarë. Nuk kemi luksin të largojmë profesionistë të provuar me integritet.”
Ai kërkoi ndërhyrje ligjore, duke theksuar se SPAK nuk kërkon rinovim automatik, por të drejtën për të rikandiduar, një mundësi që sipas tij i jepet gjyqtarëve të posaçëm.

Dumani mbetet në SPAK deri në vitin 2028

Edhe pse i lë drejtimin e institucionit, Altin Dumani do të vijojë të punojë si prokuror i posaçëm deri në përfundim të mandatit të tij 9-vjeçar në vitin 2028. Ai mori drejtimin e SPAK në vitin 2022, duke pasuar Arben Krajën, drejtuesin e parë të kësaj strukture të reformës në drejtësi.

Ndërkohë, Klodian Braho pritet të marrë detyrën si drejtues i ri i SPAK në një periudhë që konsiderohet vendimtare për luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar./L.F-dritare.net