Na ndiqni edhe në

Opinione

Përmbysja e mitit neo-otomanist

Përmbysja e mitit neo-otomanist

Nga Nikoll Loka

Shqiptarët nuk u çliruan, por u pushtuan nga Perandoria Osmane.

Një pakicë studiuesish me prirje neo-otomaniste dhe disa klerikeve qe flasin per historine turko-osmane sipas historiografise turke dhe serbe, pretendojnë se shqiptarët nuk u pushtuan nga Perandoria Osmane, por u “çliruan” dhe u “integruan” në të. Ky interpretim i mohon faktet historike, injoron dokumentet arkivore dhe fshin qëllimisht rezistencën shekullore të shqiptarëve kundër një pushtimi të gjatë e të dhunshëm. Përballë këtij përmbysimi të së vërtetës historike, qëllimi i kësaj eseje është të argumentojë se shqiptarët u pushtuan me dhunë nga osmanët dhe se ata zhvilluan një rezistencë të vazhdueshme për ruajtjen e lirisë, identitetit dhe tokës së tyre.

Së pari, për të kuptuar natyrën e marrëdhënieve shqiptaro-osmane, duhet të shqyrtojmë faktin se pas shembjes së Perandorisë së Dushanit në fund të shekullit XIV, shqiptarët ngritën principata të pavarura në territorin e tyre, si ajo e Balshajve, Kastriotëve, Dukagjinëve, Topiajve, Muzakajve, etj. Këto formacione shtetërore ishin pasardhëse të drejtpërdrejta të traditës politike arbërore që kishte nisur qysh në shekullin e XII, duke treguar një vazhdimësi të subjektivitetit politik shqiptar. Pushtimi osman, që nisi në fund të shekullit XIV dhe u intensifikua në shekujt XV-XVI, shkatërroi këto struktura dhe vendosi mbi to një rend të huaj, teokratik dhe centralist, të përqendruar në Stamboll.

Rezistenca e shqiptarëve ndaj këtij pushtimi nuk ishte e përkohshme apo e fragmentarizuar. Përkundrazi, ajo ishte e pandërprerë dhe mbulon më shumë se katër shekuj histori. Që nga kryengritjet e para të vitit 1423 në More, tek kryengritjet e Gjergj Arianitit dhe ato të Skënderbeut (1443–1468), e deri te kryengritjet masive të shekujve XVIII dhe XIX, shqiptarët nuk u pajtuan kurrë me sundimin osman. Rrallë ndonjë popull në Evropë ka një histori kaq të gjatë dhe të dendur rezistence ndaj Perandorisë Osmane. Në vitin 1481, menjëherë pas vdekjes së Sulltan Mehmetit II, shqiptarët u ngritën masivisht në kryengritje, një dëshmi e qartë se pushtimi nuk ishte as i pranuar dhe as i padiskutueshëm. Edhe më tej, kryengritjet e vitit 1571 në prag të betejës së Lepantos, kryengritjet e Kelmendit, të Kosovës më 1668, dhe përfshirja e shqiptarëve në planet e aleancave evropiane kundër Turqisë në shekujt XVII-XVIII dëshmojnë për një vetëdije të lartë etnike dhe gradualisht edhe të kombësisë së veçantë që meriton të paavrësohet.

Së dyti, ideja se shqiptarët “u integruan” në Perandorinë Osmane është një keqinterpretim i qëllimshëm i realitetit historik. Po, është e vërtetë që disa përfaqësues të elitave shqiptare zunë poste të larta në Perandori, nga jeniçerë e vezirë, tek sundimtarë lokalë si Ali Pashë Tepelena. Por kjo nuk është dëshmi e një integrimi të barabartë, por një strategji tipike e çdo pushtimi imperial: përdorimi i elitave vendase për të kontrolluar më lehtë provincat e pushtuara. Këto elita shpeshherë u distancuan nga populli i tyre, u konvertuan në fenë islame, humbën identitetin kombëtar dhe u bënë pjesë e aparatit represiv që shtypte vetë shqiptarët. Ndaj nuk mund të flitet për integrim të lirë, por për asimilim dhe bashkëpunim me pushtuesin, një fenomen i njohur në të gjitha sistemet koloniale.

Së treti, dokumentet historike flasin qartë për karakterin pushtues të Perandorisë Osmane në tokat shqiptare. Rënia e qyteteve shqiptare ishte e përgjakshme, shoqëruar me masakra, djegie dhe shpërngulje masive. Kështjella si ajo e Krujës, Shkodrës, Beratit dhe Ulqinit u rrethuan me dhunë dhe u morën vetëm pas betejash të përgjakshme. Pas çdo rezistence, Perandoria vendoste në krye të krahinave pashallarë që mbanin kontrollin përmes taksave të rënda, rekrutimeve të dhunshme dhe ndalimit të gjuhës e shkollave shqipe. Liturgjia në gjuhën shqipe, për shembull, ndalohej rreptësisht. Në të gjitha këto, Perandoria vepronte si çdo pushtues tjetër.

Së fundmi, argumenti më i fuqishëm kundër narrativës neo-otomaniste është vetë kronika e kryengritjeve shqiptare gjatë pesë shekujve të pushtimit osman. Lista e ngjarjeve historike nga viti 1423 deri më 1912, si ajo e përpiluar nga At Zef Valentini, tregon se shqiptarët nuk e kanë pranuar kurrë me vetëdije sundimin osman. Lufta për liri, që kulmoi me Kryengritjen e Përgjithshme të vitit 1912 dhe shpalljen e Pavarësisë, nuk lindi papritur, por ishte fryt i një tradite të gjatë lufte kundër një pushteti të huaj dhe shtypës.
Përfundimisht, përpjekjet për ta paraqitur pushtimin osman si një çlirim apo integrim janë interpretime ideologjike dhe të pasakta. Ato mohojnë të kaluarën dhe dinjitetin e një populli që ka luftuar shekuj me radhë për lirinë e vet. Historia e shqiptarëve gjatë epokës osmane është historia e një pushtimi brutal dhe një rezistence të palëkundur. Ajo duhet të kujtohet dhe studiohet në të vërtetën e saj, jo të shërbejë si vegël për projekte nostalgjike të influencës neo-otomane në Ballkan.

Tradhëtia dhe masakra ndaj Shqiptarëve nga Sulltan Mahmudi II Han

Më 9 qershor 1830, sulltan Mahmudi II Han, urdhëroi vezirin e madh që të ekzekutoi në pabesi 500 feudalët shqiptar myslimanë të Shqipërise se Jugut dhe asaj te Mesme!.
Ftesa për takim në Manastir u arsyetua se do te bisedohet për çështjen e organizimit të usjtrisë dhe të pagesave të prapambetura. Sapo shqiptarët mbërrijten në vendin e ceremonisë, ushtaret osman që stërviteshin, i kthyen pushkët kundër tyre, hapen zjarr mbi ta,duke i vrarë të gjithe ne vend.
Një veprim të ngjajshëm dhe të pabesë e kreu i biri i Mehmet Reshit Pashes, Vezirit të Madh, Emin Pasha ndaj parisë shqiptare të Çamërisë në Janinë.

U masakruan 100 krerë shqiptarë!

Këto masakra që zhduken krerët me të rëndesishëm shqiptar te kohes, dëshmoi të ishte nje goditje me pasoja dhe hendikep i madh për shqiptaret dhe poziten e tyre në Ballkan gjatë shekullit XIX. Krime te tilla u bënë vetëm ndaj shqiptareve. Për 500 vite, kështu janë respektuar dhe dashur shqiptarët nga gjoja “vëllezërit” e tyre turq./dritare.net