Negociatat me BE! Rama me të rinjtë: Yjet janë bashkuar për Shqipërinë!
Dritare.net

Ëndrra e Shqipërisë në BE në 2030 nuk është ëndërr, por plan real, tha kryeministri Rama. Faza e parë varet kryesisht nga Shqipëria, kurse e dyta, procesi politik, nga BE. Pika e përbashkët është dëshira e Shqipërisë për t’u bërë pjesë e familjes europiane dhe e BE-së që të zgjerohet.
“Nuk është një ëndërr që e kemi parë ne dhe po ua tregojmë njerëzve, por një plan që e kemi në tavolinë. Shpejtësia e hapjes së kapitujve është një plan. Është me dy faza kjo histori. Faza e parë është në dorën tonë në një masë shumë të madhe. Faza e dytë është në dorën e tyre në një masë shumë të madhe. Yjet janë bashkuar dhe të dyja palët kanë të njëjtin interes. Ne duam të hyjmë, ata të zgjerohen”, tha Rama.
Rama theksoi se negociatat tashmë janë hapur dhe duhet shfrytëzuar koha që kjo derë të mos mbyllet.
"Ne jemi propozuar 3 herë për të hapur negociatat dhe 3 herë jemi refuzuar. Na ka propozuar Komisioni sepse ne i kemi bërë të gjitha detyrat për të hapur negociatat, jo për t’u bërë anëtarë. Pyetja që duhet t’i bëjmë vetes është sa kohë kemi? Dera është hapur dhe mund të mbyllet. E rëndësishme është që ne të mos bëhemi sebep që të mbyllet. Duhet të bëjmë maksimumin në këto vite që kemi përpara ku duket që dera është qartësisht dhe plotësisht e hapur”, tha Rama.
Kryeministri tha se integrimi i Shqipërisë në BE sjell mundësi të barabarta për arsimimin e tyre duke nisur nga pagesat, shërbimet apo tregu i punës, njësoj si studentët europianë.
“Nuk keni të njëjtat kushte si të studentëve europianë dhe pavarësisht se mund të jeni shumë të zotë, nëse regjistroheni në shkollë, paguani shumë më tepër sesa studentët europianë sepse jeni të huaj. Me anëtarësimin në BE, kjo ndryshon krejtësisht. Askush nuk ju sheh dhe t’ju thotë nga je ti se këtu është BE. Kjo është një përpjekje që ka kuptim dhe impakt të drejtpërdrejtë për gjithsecilin prej jush”, tha Rama./dritare.net