
Aksidenti që i mori jetën dy motrave në Sarandë, arrestohet shoferi 23-vjeçar, ishte i dehur në timon!
Dritare.net
Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e 24 gushtit në aksin Delvinë-Sarandë, ku dy motra nga fshati Kopaçeza humbën jetën dhe një vajzë tjetër mbeti e plagosur rëndë. Ngjarja ndodhi rreth orës 20:15, në vendin e quajtur Pularia.
Si ndodhi aksidenti
Sipas raportimeve të policisë 23-vjeçari Kevin Nora, duke drejtuar një automjet tip Audi, po udhëtonte nga Saranda në drejtim të Gjirokastrës. Ai tentoi të parakalojë një mjet tjetër, por për shkak të parakalimit të gabuar, automjeti i tij kaloi në korsinë e kundërt ku po udhëtonin dy motrat, duke shkaktuar përplasjen kokë më kokë me automjetin tip Lancia që drejtohej nga Elvisa Dhimaku.
Përplasja ka qenë kaq e fortë saqë makinat u dëmtuan rëndë, dhe njëra prej tyre u përmbys në mes të rrugës. Si pasojë e plagëve të marra nga përplasja, drejtuesja 22-vjeçare humbi jetën sëbashku me motrën e saj, Rozina Dimaku, 20 vjeçe.
Kush ishin dy motrat që humbën jetën
Elvisa Dhimaku, 22 vjeçe, ishte drejtuesja e automjetit “Lancia”, ndërsa motra e saj, Rozina Dhimaku, 20 vjeçe, ishte pasagjere. Rozina mësohet se studiohej për Mjekësi, ndërsa Elvisa ishte një vajzë e dashur dhe e njohur në komunitetin e tyre. Tragjedia la të shokuar familjen dhe komunitetin lokal, duke i prekur thellë të gjithë që i njihnin.
Një pasagjere tjetër, Antonela Zhupa, 24 vjeçe, u dërgua fillimisht në spitalin e Sarandës dhe më pas në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Mjekët po monitorojnë gjendjen e saj dhe po kryhen të gjitha procedurat për të siguruar trajtimin e duhur.
Sipas raportimeve, drejtuesi i mjetit Audi, 23-vjeçari Kevin Nora, rezultoi i dehur në timon. Ai është ndaluar nga policia dhe pritet të procedohet për shkelje të rënda të Kodit Penal, duke përfshirë “Shkaktim i aksidentit rrugor me pasoja fatale” dhe “Drejtim mjeti në gjendje të dehur”./E.P-dritare.net

















