109 vjet më parë, Haxhi Qamili u var në Durrës!
Dritare.net

Në Durrës u var Haxhi Qamili (Qamil Zyber Xhameta), udhëheqës kryesor i Kryengritjes së Shqipërisë së Mesme të viteve 1914-1915. Lindi në fshatin Sharrë (Tiranë), në vitin 1876. Gjatë Luftës së Parë Ballkanike (1912-1913), Haxhi Qamili mori pjesë në batalionin e rezervistëve "Erzeni" dhe luftoi nën komandën turke për mbrojtjen e Shkodrës nga agresioni i Malit të Zi.
Gjatë fazës së dytë të kryengritjes kundër qeverisjes së Princ Vilhelm Vidit doli me parullat "Duam babën, duam gjuhën turke, duam flamurin turk". Ishte në krye të djegies së sarajeve të Esad Toptanit në nëntor 1914.
Kryengritja e udhëhequr prej tij me parullat e saj antikombëtare goditi rëndë strukturat e shtetit, vuri në rrezik pavarësinë e tij dhe u shfrytëzua si pretekst për agresionin e forcave të armatosura të Serbisë kundër Shqipërisë në qershor 1915. Pas shtypjes së kryengritjes u kap nga forcat serbe, u dënua me vdekje nga gjyqi i i organizuar nga Esad Toptani dhe u var në Durrës.
Burimi: Ngjarje Historike