
Tërmet i fuqishëm në Kretë. Shqiptarët: Menduam se po na shembet shtëpia
Dritare.net
Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.1 të shkallës Rihter goditi ishullin e Kretës në Greqi. Lëkundjet ndodhën në orën 06:19 të mëngjesit me orën lokale dhe u ndjenë gjerësisht në të gjithë ishullin, si dhe në pjesë të tjera të Greqisë, përfshirë Athinën, dhe madje edhe në vende të tjera si Izraeli, Egjipti dhe Qipro.
Epiqendra e tërmetit ishte rreth 56 kilometra në verilindje të Heraklionit, në detin Egje, me një thellësi fokale prej rreth 60 kilometrash. Kjo thellësi relativisht e madhe ndihmoi në zbutjen e ndikimeve në sipërfaqe, duke shmangur dëme të mëdha strukturore.
Pas tërmetit, autoritetet greke lëshuan një paralajmërim për cunami si masë paraprake, duke këshilluar banorët dhe turistët të qëndronin larg vijës bregdetare deri në kalimin e rrezikut. Fatmirësisht, nuk ka raportime për viktima apo dëme të konsiderueshme materiale.
Shqiptarët që jetojnë në Kretë kanë rrëfyer për mediat greke dhe shqiptare momentet e frikshme që përjetuan. "Mendova se po shembej gjithçka. U ndjeva si në një film horror," – tha një emigrant shqiptar nga Heraklioni. Të tjerë dëshmuan se dolën me shpejtësi nga banesat, ndërsa rrugët u mbushën me njerëz të alarmuar.
Elton Congo, një shqiptar që jeton në Iraklio prej 27 vitesh, e përshkroi tërmetin si një nga momentet më të frikshme që ka përjetuar, duke e krahasuar me tërmetin e vitit 1998.
Pasgoditje të lehta janë regjistruar pas tërmetit kryesor, por autoritetet theksojnë se ato janë të zakonshme dhe nuk përbëjnë rrezik të madh . Shërbimet emergjente janë në gatishmëri të lartë, dhe ekipet e shpëtimit po monitorojnë situatën për çdo eventualitet./K.C/dritare.net

















