Nëna mbante sëpatën te dera. Lena Rexhepi: 9 vjeçe, ika nga Kosova nëpër malet me borë
Dritare.net
Ishte viti 1999 kur Albulena Rexhepi, atëherë 9 vjeç dhe nxënëse e klasës së tretë në Ferizaj, u largua nga Kosova bashkë me nënën dhe tre vëllezërit e vegjël. Sot, 27 vjet më vonë, ajo njihet si Lena Rexhepi. Ka mbaruar Copenhagen Business School, ka bërë karrierë ndërkombëtare si menaxhere projektesh dhe ka shkruar një libër për identitetin në tri gjuhë. Në emisionin "Shqip" nga Rudina Xhunga në Dritare TV, ajo rrëfen rrugën nga lufta te suksesi dhe plagët që nuk shërohen kurrë.
Në vitet '90, kur shqiptarët u përzunë nga puna, babai i saj u detyrua të shkonte në kurbet në Gjermani. Në shtëpi mbeti nëna me katër fëmijë. Lena kujton se një grup serb, i quajtur "Dora e Zezë" trokiste nëpër dyert e shqiptarëve dhe e dinte mirë kush jetonte ku.
"Nëna ime e kishte një sëpatë te dera, për nëse vinin serbët, ajo nuk do rrinte pasive, se kishte parë në lajme se ç'u ndodhte grave që ishin pa burra", rrëfen ajo. Nëna kishte hapur një vrimë pas kauçit, ku fëmijët të fshiheshin. "Unë isha më e madhja dhe e dija si t'i merrja tre vëllezërit e vegjël e të hynim aty", thotë Lena. Ky kapitull i librit, shton ajo, është ai mbi të cilin ka qarë më shumë kur e ka shkruar.
Gjashtë orë në borë dhe xhaketa portokalli
Kur serbët po afroheshin, familja iku në këmbë nëpër male, nga Kaçaniku drejt Maqedonisë. Ishin rreth 80 deri në 100 vetë, mes tyre fqinjë dhe të afërm. Ecën gjashtë orë në një borë të lartë rreth 10 centimetra. "UÇK-ja na ndihmoi të iknim nga serbët që po vinin të na vrisnin", kujton ajo.
Në atë rrugë, e vogla Albulena la pas xhaketën portokalli që nëna ia kishte blerë me 100 marka. Xhaketa ishte lagur dhe ishte bërë shumë e rëndë për t'u mbajtur. "Këtë xhaketë portokalli e sakrifikova në kodrat e larta të Kosovës. Mbeti aty në borë, e ngrirë në kohë në vitin 1999", lexon ajo nga libri. Edhe sot, thotë, portokallia është ngjyra e saj e preferuar.
Takimi i parë me padrejtësinë
Lena kujton edhe dallimin mes dy shkollave në Ferizaj. Shkolla e serbëve kishte ngrohje, lodra dhe mësim nga ora 9 deri në 3. Shkolla e shqiptarëve ishte pa ngrohje dhe punonte me ndërrime nga mëngjesi deri në mbrëmje. "Kur shkova në shtëpi, u thashë prindërve: Çka kemi ne të keqe, shqiptarët?", rrëfen ajo. "Ishte takimi im i parë me padrejtësinë në jetë."
Kampi i refugjatëve dhe ndarja e prindërve
Në Danimarkë familja jetoi dy vjet në një kamp refugjatësh në Kopenhagë. Kur mbaroi lufta, të gjithë donin të ktheheshin. Por babai, sipas saj, e shiti shtëpinë në Kosovë, prindërit u ndanë dhe familja mbeti në Danimarkë. Babai u kthye në Kosovë. "Unë ia kam falur babit. Besoj se të gjithë njerëzit gabojnë", thotë Lena.
Si vajza më e madhe, u bë "krahu i djathtë" i nënës, ose siç e thotë ajo, "si një baba i dytë". "Ta jep një farë vetëbesimi, por ta humb pak fëmijërinë, se duhet të rritesh para kohe", shpjegon ajo.
Lena ka punuar që në moshën 13 vjeçe, duke shpërndarë gazeta nëpër lagje, që t'i lehtësonte barrën nënës. Pas gjimnazit jetoi një vit në Nju Jork dhe një vit në Los Anxhelos. Më pas u kthye dhe hyri në Copenhagen Business School, një nga universitetet më të vështira për t'u pranuar. Masterin e kreu duke punuar me kohë të plotë në një bankë.
"Unë kam shoqe shqiptare të cilave prindërit u kanë dhënë makina e shtëpi. Unë gjithçka e kam bërë vetë", thotë ajo. Më vonë punoi si menaxhere projektesh për kompaninë daneze Novo Nordisk. Sipas saj, para dy vitesh hapi për kompaninë një zyrë në Londër brenda katër muajve dhe e përfundoi projektin brenda buxhetit.
Pavarësisht suksesit, Lena thotë se diskriminimi e ka ndjekur në çdo hap. "Kam qenë në pozita të larta ndërkombëtare, në Londër, në Nju Jork, dhe më kanë thënë: A je shqiptare? A e ke pasaportën shqiptare? Do kemi probleme", rrëfen ajo.
Sipas saj, si grua e ka pasur edhe më të vështirë. Tregon se një dokument që ajo e kishte prezantuar u refuzua, por u pranua pa asnjë ndryshim kur e prezantoi një koleg danez. Në Londër, thotë ajo, e kanë pyetur nëse babai i saj ishte mafioz.
Pika e kthesës erdhi në dy darka pune. Në të parën, një koleg i tha një fjalë raciste. Në të dytën, një tjetër i tha: "Nëse nuk të pëlqen këtu, kthehu në vendin tënd". "Me këtë libër dua të them se diskriminimi nuk është vetëm nëpër rrugë. Ndodh edhe kur nuk provokon askënd", shpjegon Lena.
"E huaja atje, e huaja këtu"
Pas këtyre përvojave vendosi të largohej nga puna dhe t'i kushtohej librit, të cilin e kishte nisur tre vjet më parë. "Paraja nuk është gjithçka. Ndonjëherë është edhe pasioni", thotë ajo. Libri doli në fund të qershorit. E ka botuar vetë, në shqip, danisht dhe anglisht, dhe gjendet online në formë të shtypur dhe elektronike. Versionin shqip e ka shkruar në gegërisht, sepse "është më e lehtë për shumë shqiptarë të diasporës".
"Unë shqiptare jam nga biologjia, por kulturën e kam edhe daneze, se aty jam rritur", thotë ajo. Por të qenit mes dy botëve ka edhe dhimbjen e vet: "Kur jam në Kosovë apo në Shqipëri, më thonë 'e jashtme'. Atje jam e huaja."
Lena drejton edhe një podkast për identitetin, që sipas saj dëgjohet në mbi 40 shtete. Tani jeton në Suedi.
Albulena që u bë Lena
Në pasaportë emri i saj është ende Albulena. "Lena" e përdori për t'u integruar më shpejt, që të mos kishte nevojë ta shpjegonte emrin çdo herë. I pyetur çfarë do t'i thoshte 9-vjeçares që la xhaketën portokalli në borë, ajo përgjigjet: "Do ta merrja në grykë dhe do t'i thoja që kam pasur shumë sfida në jetë, i kam kaluar vetë dhe jam krenare."
"Jam e lodhur që ne shqiptarët vetëm mbijetojmë. Duam edhe të lulëzojmë si popull", thotë Lena Rexhepi./dritare.net