
Nga Gjon Ndrejaj
Në rrjetet sociale, në emisionet televizive, por edhe në bisedat e përditshme, po përhapet një gjuhë e ashpër, fyese dhe zhgënjyese për Shqipërinë. Nga protestues, artistë e politikanë, deri te opinionistët dhe qytetarët e thjeshtë, dëgjojmë shprehje si: “Këtu nuk ka shtet”, “Ne nuk bëhemi kurrë”, “Shqipëria është një vend i mallkuar” etj. Madje kjo është kthyer si një modë. Të bësh të kundërtën dukesh i prapambetur, madje mund të etiketohesh edhe si “patronazhist” Veçanërisht emigrantët që vijnë nga perëndimi nuk hezitojnë të bëjnë krahasimin me vendet ku jetojnë , sa për të thënë disa të vërteta por edhe aq për të “shitur mend”, lëshojnë lloj-lloj broçkullash. Disa syresh ju ka ngelur ora në vitet 90, kur janë larguar nga Shqipëria dhe bëjnë krahasime me atë periudhë, pa e ditur progresin që ka bërë Shqipëria gjatë këtyre viteve. Këto thënie nuk janë më vetëm kritika ndaj një ministrie apo ligji. Kjo qasje përveçse në shqip e dëgjojmë të artikuluar shpesh edhe në gjuhë të huaj, ku politikanë të caktuar për interesa thjesht partiake nxijnë Shqipërinë në mediat e huaja, e cila është kthyer në një narrativë totale ekzistenciale që e përshkruan shoqërinë shqiptare si pa asnjë vlerë.
Unë e kuptoj zemërimin e sinqertë të disave ndaj mangësive, si dhe dëshirën apo padurimin e tyre, për progres të shpejtë të Shqipërisë por nuk kuptoj faktin që edhe kur ky progres është evident dhe i çertifikuar nga institucione ndërkombëtare, përsëri është i njëjti qëndrim mohues. Kam lexuar edhe unë skandale korrupsioni, kam parë rrugë të pambaruara, kam dëgjuar premtime të pa mbajtura por a është e drejtë që mangësitë e qeverisë apo të një partie, të na bëjnë të mohojmë përparimin e jashtëzakonshëm që ka bërë shoqëria shqiptare? Madje vetë shkruesi i këtyre radhëve ka qenë kritik në medie disa herë, ndaj mangësive të qeverisjes përfshirë edhe turizmin por asnjëherë ndaj shoqërisë shqiptare.
A nuk është e gjitha kjo, një reminishencë e së shkuarës, kur diktatura kërkonte të mbante përgjegjësinë e vetme për gjithçka dhe mohonte çdo arritje të Shqipërisë në vitet e mëparshme? Sot, në demokraci, individi është i lirë të krijojë, të investojë dhe të arrijë suksese, shpesh në mënyrë të pavarur dhe jo falë qeverisë. Madje në vlerësimin tim, gjithë progresi që ka bërë Shqipëria ndër këto vite, është më tepër rezultat i lirisë së individit se sa i politikave qeveritare.
Nuk dua të bëj një apologji as analizën e asnjë prej qeverive, as të kaluar e as të tanishme. Por sa po shkruaj, është një përpjekje për të kundërshtuar “nxirjen” pa dallime të vendit tonë dhe për të rikujtuar se kritika ndaj qeverisë nuk duhet të kthehet në mohim të vlerës së shoqërisë sonë dhe të njerëzve .
Le ta shohim gotën , gjysmë plot jo gjysmë bosh
Para se të flasim për perceptimet, le të shohim të statistikat. Nëse dikush do të na thoshte 20 vjet më parë se Shqipëria do të kishte rritje ekonomike mbi mesataren e rajonit, do të ishte e vështirë ta besonim. Por ky është realiteti i sotëm. Sipas të dhënave të INSTAT por edhe të institucioneve ndërkombëtare, ekonomia shqiptare u rrit me 3.79% gjatë vitit 2025, e mbështetur kryesisht nga ndërtimi, shërbimet publike, taksat dhe investimet. Në tremujorin e katërt të 2025-së, GDP u zgjerua me 3.80%, ndërsa ndërtimi u rrit me 7.36% dhe administratata publike, arsimi dhe shëndetësia me 8.30%, eksporti i mallrave dhe shërbimeve u rrit me 10.65%, ndërsa konsumi i familjeve me 2.99%.
Banka Botërore parashikon se Shqipëria do të vazhdojë të rritet me rreth 3.5% në vitet në vijim, e nxitur nga kërkesa e brendshme dhe aktiviteti i fortë në ndërtim dhe shërbime. Inflacioni ka mbetur i ulët në 2.2%, ndërsa papunësia ra në 8.7% dhe norma e punësimit (moshat 15–64 vjeç) u rrit në 69.5%.Varfëria është ulur edhe pse akoma është në nivele të larta. E gjithë kjo ndodh në një kontekst, ku Ballkani Perëndimor pritet të ketë rritje mesatarisht 3%, çka e vendos Shqipërinë mbi mesataren rajonale.
Sigurisht, është edhe ana tjetër të medaljes. Popullsia e Shqipërisë përjetoi një tkurrje prej rreth 27,628 personash gjatë vitit 2025, duke arritur në 2,363,314 banorë. Diaspora shqiptare numëron mbi 2.25 milionë individë, 77% e tyre në moshë pune. Kjo është sfida më e madhe demografike, por edhe këtu ka shenja shprese; mbi 108 mijë persona janë kthyer në Shqipëri gjatë 12 viteve të fundit dhe remitancat tejkalojnë 1 miliard euro në vit, që do të thotë se edhe ata që ikin, vazhdojnë të besojnë te vendi i tyre.
Bota zbulon Shqipërinë por disa shqiptarë nuk e shohin
Nëse dikush ka dyshime për progresin e shoqërisë shqiptare, le të shikojë thjesht numrat e turizmit. Ato janë dëshmia më e qartë se bota ka një perceptim krejtësisht të ndryshëm nga “nxirja” që ne konsumojmë çdo ditë. Shifrat flasin vetë: Gjatë vitit 2025, Shqipëria regjistroi 12.46 milionë hyrje të shtetasve të huaj, me një rritje prej 6.6% krahasuar me vitin 2024. Vetëm në muajin korrik 2025, hynë në vend 2,663,010 shtetas shqiptarë dhe të huaj, ndërsa periudha janar–tetor 2025 kaloi shifrën e 11.1 milionë shtetasve të huaj. Krahasuar me vitin 2014, kur Shqipëria priti vetëm 3.6 milionë vizitorë të huaj, rritja është mbi 240%.
Unë kam mbledhur disa të dhëna që i referohen institucioneve të huaja, medieve dhe individëve të veçantë në lidhje me këndvështrimin e tyre ndaj Shqipërisë të cilat në mënyrë të përmbledhur po i paraqes më poshtë.
Turizmi është pasqyra më e sinqertë e Shqipërisë. Shifrat nuk gënjejnë; 12.46 milionë të huaj vizituan vendin tonë në vitin 2025, 6.6% më shumë se një vit më parë. Vetëm në korrik, mbi 2.6 milionë shtetas kaluan kufijtë tanë. Dhe krahasuar me 2014-ën, kur mezi arrinin 3.6 milionë, rritja është mbi 240%. Por numrat janë vetëm një pjesë e historisë. Ajo që të mahnit është kontrasti mes asaj që dëgjojmë brenda dhe asaj që shkruan bota jashtë.
Organizata Botërore e Turizmit e renditi Shqipërinë ndër dhjetë destinacionet më të suksesshme në botë. The Washington Post e përshkroi si "destinacionin mesdhetar që i tejkalon të gjitha pritshmëritë", duke krahasuar ushqimin, natyrën dhe jetën e natës me Italinë e Kroacinë, por me kosto më të ulët dhe pa turma. The Irish Times lavdëroi mikpritjen, historinë dhe peizazhet e paprishura, duke vënë re se shqiptarët janë "të hapur, krenarë dhe krijues". Revista franceze Escapade e quajti "yllin e ri të turizmit të qëndrueshëm". Madje Matador Network, në çmimet e lexuesve për 2025, e zgjodhi Shqipërinë si "destinacionin e madh të ardhshëm".
Por ndoshta më të rëndësishme se mediat e mëdha janë zërat e turistëve vetë. Një kineze që vizitonte Vlorën për herë të tretë, thoshte se shumë qytetarë kinezë duan të vijnë këtu. Një çift belg, që zgjodhi Shqipërinë për pushime dimri, rrëfente se donin ta vizitonin para se të bëhej pjesë e Evropës. Influencere amerikane Cepee e përshkroi Shqipërinë si "vendin më të anashkaluar në Evropë që duket si Maldivet", duke vlerësuar çmimet e ulëta dhe mikpritjen. Dhe gazetarja e Washington Post, pas një nate në Shkodër e një darke në Himarë, shkruante se "kishim gjetur ar" – vakte të shijshme e të përballueshme, që në vende të tjera do të kushtonin shumë më tepër.
Thëniet e tyre janë si ambasadorë biologjikë që promovojnë Shqipërinë pa pagesë. Dhe këtu qëndron formula për të dalë nga ky qerthull: çdo shqiptar mund të jetë njëherësh kritik ndaj qeverisë dhe në favor të shoqërisë. Kritika ndaj pushtetit është e shenjtë, por kur ajo kapërcen kufijtë deri në mohimin e vlerës së kombit, të historisë, të aftësive të njerëzve të thjeshtë, bëhet faj logjik dhe moral.
Kur mediat ndërkombëtare dhe miliona turistë lavdërojnë mikpritjen shqiptare, ata nuk po flasin për qeverinë. Ata po flasin për ty, për mua, për fqinjët, për ata që hapin dyert e shtëpive dhe ndihmojnë pa pritur asgjë. Ata po flasin për shoqërinë shqiptare. Dhe kur Komisioni Evropian, në Raportin e Progresit 2025, e përshkruan Shqipërinë si "partner të besueshëm" dhe vendos të hapë tre kapituj të rinj negociues, ai konfirmon se vendi po përparon. Po ashtu, diaspora që dërgon mbi 1 miliard euro remitanca në vit dhe mbi 108 mijë të kthyer në atdhe, po investojnë në Shqipëri sepse besojnë se ka të ardhme, jo sepse janë të kënaqur me qeverinë.
Por përkundër kësaj nuk mund të kalojmë pa përmendur një faktor tjetër kyç në ushqyerjen e kësaj narrative zhgënjyese; opozitën shqiptare. Duket sikur për një pjesë të saj, çdo ngjarje, çdo zhvillim, çdo sukses i vendit është një rast i mirë për ta paraqitur Shqipërinë si një vend pa shpresë. Ata nuk e kursejnë asnjë mundësi për ta “nxirë” imazhin e vendit, duke e përdorur atë si armë politike kundër qeverisë, por duke goditur në fakt të gjithë shoqërinë.
Shembulli më i fundit dhe më i qartë është qëndrimi i tyre ndaj Rezolutës së Parlamentit Evropian për Shqipërinë. Ndërsa të gjithë partnerët ndërkombëtarë, nga Komisioni Evropian te Shtetet e Bashkuara, e vlerësuan pozitivisht këtë rezolutë si një hap historik dhe një mbështetje të fuqishme për rrugën evropiane të Shqipërisë, opozita shqiptare zgjodhi të mos e votojë atë. Ky nuk është thjesht një akt kundërshtie ndaj qeverisë. Është një akt që dërgon një mesazh të qartë në arenën ndërkombëtare; se edhe kur bota na jep duartrokitje, ka zëra brenda vendit që insistojnë se nuk ka asgjë për të duartrokitur.
Kjo praktikë është bërë një zakon i keq dhe i rrezikshëm. Në çdo vizitë të liderëve të huaj apo në çdo konferencë ndërkombëtare, opozita shpesh nxiton të paraqesë një version të Shqipërisë që nuk njeh asnjë progres, asnjë reformë dhe asnjë arritje. Ata sillen sikur Shqipëria është në të njëjtën gjendje si në vitet ’90, duke injoruar me qëllim të dhënat, faktet dhe dëshminë e miliona turistëve që e duan këtë vend. Ky qëndrim nuk është vetëm i padrejtë ndaj shoqërisë shqiptare, e cila ka sakrifikuar dhe punuar për të arritur këtë progres, por është thellësisht antikombëtar. Kritika ndaj qeverisë është jo vetëm një e drejtë, por e domosdoshme në një demokraci. Por një gjë është të kritikosh një ministër për një rrugë të pambaruara dhe krejt tjetër është të shkosh në Parlamentin Evropian dhe të lutesh që ata të mos e përkrahin Shqipërinë, vetëm sepse pushtetin e mban kundërshtari politik.
Nëse e duam vërtet Shqipërinë, secili prej nesh, pavarësisht ngjyrës politike, duhet të bëjë dallimin mes kritikës ndaj qeverisë dhe mohimit të vlerës së shoqërisë. Dhe të gjithë, pa përjashtim, duhet të bashkohemi për të mbrojtur imazhin e vendit tonë, kur ai po vlerësohet nga bota, jo ta shkatërrojmë atë për të fituar një pikë politike. Sepse në fund të fundit, kur bota flet keq për Shqipërinë, ajo nuk flet keq vetëm për një qeveri, por për secilin prej nesh.
Shqipëria një vend me plagë por edhe me muskuj
Shqipëria e sotme ka jo pak probleme. Korrupsioni vazhdon të jetë serioz. Transparency International e vlerësoi Shqipërinë me 39 pikë në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit 2025, me një rënie nga 42 pikët e vitit 2024. Popullsia po tkurret, sistemi i drejtësisë është akoma në kolaps. Varfëria është akoma në nivele të larta dhe kapilare. Polarizimi i shoqërisë po merr përmasa të frikshme. Por asnjë shoqëri nuk është perfekte. Pyetja është: a jemi më mirë se 10 vjet më parë? Përgjigjja, për këdo që sheh të dhënat objektive, është pa mëdyshje PO. Pa hezituar dhe krahas kësaj, nuk duhet të harrojmë të bëjmë edhe pyetjen tjetër. A mund të ishim më mirë ? Sigurisht përgjigja është PO. Dhe prej këtu të qëmtojmë mangësitë tona si qytetar por edhe të qeverisjes të cilën duhet ta vlerësojmë jo me entuziazëm por për ato që bën mirë apo keq dhe këtë ta përkthejmë në votë ose ta shprehim me mjetet demokratike.
Le të mos ja lejojmë vetes që zhgënjimi politik të na verbojë dhe të na humbasë orientimin. Ne mund dhe duhet që padyshim të kritikojmë qeverinë. Por ta duash Shqipërinë nuk do të thotë të lavdërosh pushtetin , do të thotë të besosh te njerëzit e saj, te mikpritja e tyre, te aftësia e tyre për të dalë nga çdo vështirësi.
Shqipëria nuk është e nxirë. Shqipëria është një vend në këmbë, me plagë, por edhe me muskuj. Dhe miliona të huaj çdo vit vijnë të na e vërtetojnë këtë dhe së paku këta duhet ti besojmë./dritare.net