Ndahet nga jeta në moshën 78-vjeçare ish-ambasadori dhe diplomati Bashkim Zeneli
Dritare.net

Është ndarë nga jeta në moshën 78-vjeçare diplomati, ish-deputeti dhe publicisti i njohur Bashkim Zeneli. Ai ka ndërruar jetë në një spital jashtë vendit, duke lënë pas një karrierë të gjatë në shërbim të politikës, diplomacisë dhe institucioneve shqiptare.
Bashkim Zeneli ishte një nga figurat e njohura të diplomacisë shqiptare dhe një prej intelektualëve të hershëm të Partisë Socialiste. I diplomuar në Drejtësi, ai e nisi karrierën si përkthyes i gjuhës gjermane, përpara se të angazhohej në gazetari dhe më pas në jetën politike të vendit.
Pas vitit 1991, Zeneli u përfshi në strukturat e Partisë Socialiste, ku mbajti detyrën e sekretarit për marrëdhëniet me jashtë. Ai u zgjodh deputet i Kuvendit të Shqipërisë për dy legjislatura dhe shërbeu gjithashtu si nënkryetar i Komisionit Parlamentar për Politikën e Jashtme.
Një pjesë të rëndësishme të karrierës së tij ia kushtoi diplomacisë. Zeneli shërbeu si ambasador i Shqipërisë në Gjermani gjatë viteve 1998–2002 dhe më pas në Greqi, në periudhën 2002–2005.
Gjatë shërbimit diplomatik, ai u angazhua për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, veçanërisht për çështjen e Kosovës dhe bashkëpunimin me Gjermaninë, si dhe për zhvillimin e marrëdhënieve shqiptaro-greke dhe mbështetjen e komunitetit shqiptar në Greqi.
Për kontributin e tij në politikë dhe diplomaci, në vitin 2018, presidenti i atëhershëm Ilir Meta e dekoroi me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”. Zeneli u vlerësua gjithashtu me çmime dhe dekorata të tjera, mes tyre titulli “Qytetar Nderi” i Athinës dhe medalja e artë “Zgalemi i Lirisë”.
Përvoja e tij në diplomaci dhe marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë u pasqyruan edhe në librin “Miqësi e trazuar”, përmes të cilit ndau kujtime dhe dëshmi mbi sfidat e diplomacisë shqiptare.
Me ndarjen e tij nga jeta, Shqipëria humbet një diplomat, politikan dhe publicist që për dekada kontribuoi në përfaqësimin e vendit dhe në marrëdhëniet e tij me partnerët ndërkombëtarë.