Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Ministria e Arsimit porosi drejtorëve arsimorë: Pajisini me libra nxënësit që i kanë humbur!

Ministria e Arsimit porosi drejtorëve arsimorë: Pajisini me libra
Sot, pas dy javësh pushim, ka nisur procesi mësimor në shkolla dhe qarqe ku ishte ndërprerë për shkak të tërmetit që goditi vendin tonë më 26 nëntor.

30 shkolla janë ende të mbyllura për shkak të dëmtimeve, ndërsa nxënësit e tyre janë trasferuar në shkolla të tjera.

Ministria e Arsimit Sportit dhe Rinisë, ka lëshuar një udhëzues, ku bën me dije se plani mësimor për shkollat në Durrës dhe Lezhë do të nisë nga dita e ndërprerjes së mësimit. Po ashtu, drejtoritë arsimore duhet të pajisin me tekste nxënësit, nëse i kanë humbur.

UDHEZUESI

UDHËZUES PËR RIFILLIMIN E PROCESIT MËSIMOR NË SHKOLLË PAS TËRMETIT TË 26 NËNTORIT NË DRAP DURRËS DHE DRAP LEZHË

(Përfshihen ZVAP-të që janë prekur nga tërmeti)

Në zbatim të urdhrit nr. 569, datë 04.12.2019 “Për rifillimin e procesit mësimor” si dhe në mbështetje të punës së institucioneve arsimore për rifillimin e procesit mësimor pas tërmetit të datës 26 nëntor 2019, më poshtë janë dhënë disa udhëzime në lidhje me realizimin e programit mësimor, pajisjen e nxënësve me tekste shkollore, procedurat e vlerësimit të nxënësve dhe procedurat e transferimit të nxënësve në funksion të përmbushjes së kërkesave të kurrikulës.

1.Rastet kur nxënësit rikthehen në shkollat e tyre

1.1.Realizimi i programit mësimor

Në bazë të nenit 38, pika 11 të Dispozitave Normative, titullari i ZVAP-ve dhe DRAP-it përgatisin një plan për kompensimin e orëve të humbura sipas udhëzimeve të MASR.

Mësuesit do të vijojnë me planin mësimor të periudhës, normalisht, duke e nisur që nga dita e ndërprerjes së procesit mësimor.

1.2.Pajisja e nxënësve me tekstet shkollore

Për nxënësit që si pasojë e tërmetit kanë humbur tekstet shkollore, drejtori i shkollës njofton ZVAP-në rreth nevojave për tekste mësimore. DRAP, ZVAP dhe drejtoria e shkollës koordinojnë punën në mënyrë që çdo nxënës të pajiset me tekste shkollore. Në bashkëpunim me donatorë dhe organizata partnere mund të pajisni nxënësit edhe me bazën materiale të nevojshme didaktike.

1.3.Procedurat e vlerësimit të nxënësve klasat 4-12

-Vlerësimi i vazhduar në përfundim të periudhës së parë do të bëhet mbi bazën e shënimeve që mësuesi ka mbajtur në fletoren personale për aq kohë sa nxënësit kanë zhvilluar mësim.

-Vlerësimi i portofolit do të bëhet sipas planifikimit në fillim të periudhës. Nëse ka raste që një detyrë ose një pjesë e projektit nuk është realizuar për shkak të ndërprerjes së procesit mësimor si pasojë e tërmetit, mësuesi njofton drejtorinë e shkollës dhe bën vlerësimin e portofolit të nxënësit bazuar vetëm në detyrat që janë realizuar.

-Vlerësimi i testit ose i detyrës përmbledhëse në varësi të nevojave të nxënësve dhe dakordësisë me nxënësit mund të shtyhet edhe deri në muajin janar.

Drejtoritë e shkollave duhet të bëjnë kujdes me koordinimin dhe shpërndarjen e testeve/detyrave përmbledhëse në mënyrë që nxënësit të mos mbingarkohen. Sugjerohet që mësuesit, në mënyrë të veçantë për lëndët e fushave “Shoqëria dhe mjedisi”, “Arte”, “Teknologji dhe TIK” etj., të mos zhvillojnë teste, por detyra përmbledhëse, në mënyrë që nxënësit të mos ngarkohen me teste për të gjitha lëndët.

Notat do të hidhen në regjistër në kolonën përkatëse, pas vlerësimit të testeve.

2.Rastet kur nxënësit regjistrohen në një shkollë tjetër

2.1.Procedurat e transferimit të nxënësve në arsimin bazë

ZVAP-të përkatëse bashkëpunojnë me drejtoritë e shkollave për të rregjistruar sa më pranë qendrës së banimit nxënësit e prekur nga tërmeti. Mbasi janë regjistruar në shkollën pritëse, procedura e transferimit bëhet duke u bazuar në nenin 90 të Dispozitave Normative “Procedurat e transferimit të nxënësve”. Dokumentacioni i transferimit që nxënësi duhet të dorëzojë në shkollën pritëse përmban:

-Numrin e mungesave të arsyeshme dhe ato të paarsyeshme.

-Notat e vlerësimit të vazhduar për secilën lëndë që janë nxjerrë nga mësuesit e shkollës ku nxënësi ka zhvilluar mësimin. Këto nota nxirren mbi bazën e shënimeve që mësuesit kanë mbajtur në fletoren personale për aq kohë sa nxënësi ka zhvilluar mësim në atë shkollë.

-E njëjta procedurë ndiqet edhe për klasat 1-3 sipas specifikave që ka vlerësimi i nxënësit në këto klasa.

-Notat e portofolit për secilën lëndë nëse nxënësi i ka dorëzuar ato.

-Notat e testit/detyrës përmbledhëse nëse nxënësi i ka zhvilluar ato.

Në rastet kur nxënësi nuk ka zhvilluar testin dhe/ose nuk ka dorëzuar portofolin, shkolla pritëse në vijim, në varësi të nevojave të nxënësit dhe dakordësisë me të, realizon vlerësimin e tyre duke e shtyrë edhe deri në muajin janar.

2.2. Procedurat e transferimit të nxënësve në AML

ZVAP-të përkatëse bashkëpunojnë me drejtoritë e shkollave për të rregjistruar nxënësit e prekur nga tërmeti. Mbasi janë regjistruar në shkollën pritëse, procedura e transferimit bëhet duke u bazuar në nenin 90 të Dispozitave Normative “Procedurat e transferimit të nxënësve”. Dokumentacioni i transferimit që nxënësi duhet të dorëzojë në shkollën pritëse përmban:

-Numrin e mungesave të arsyeshme dhe ato të paarsyeshme.

-Vërtetim me notat e vitit/eve paraardhëse.

-Për këtë vit shkollor:

  • Notat e vlerësimit të vazhduar për secilën lëndë që janë nxjerrë nga mësuesit e shkollës ku nxënësi ka zhvilluar mësimin. Këto nota nxirren mbi bazën e shënimeve që mësuesit kanë mbajtur në fletoren personale për aq kohë sa nxënësi ka zhvilluar mësim në atë shkollë.
  • Notat e portofolit për secilën lëndë nëse nxënësi i ka dorëzuar ato.
  • Notat e testit/detyrës përmbledhëse nëse nxënësi i ka zhvilluar ato.

Në rastet kur nxënësi nuk ka zhvilluar testin dhe/ose nuk ka dorëzuar portofolin, shkolla pritëse në vijim, në varësi të nevojave të nxënësit dhe dakordësisë me të, realizon vlerësimin e tyre duke e shtyrë edhe deri në muajin janar

Për nxënësit që janë në klasën e XII

Kur nxënësi që transferohet në një shkollë tjetër, është në klasën XII, drejtori i shkollës pritëse:

-kujdeset që nxënësit t’i ofrohen lëndët/modulet me zgjedhje që ka zhvilluar në shkollën e mëparshme;

-koordinon punën me QSHA-në për të bërë ndryshimet e duhura në lidhje me Maturën Shtetërore.

Në rastet kur shkolla e ka të pamundur t’ia ofrojë lëndët/modulet e përzgjedhura, ZVAP dhe drejtoria e shkollës propozojnë një zgjidhje tjetër prindit dhe nxënësit, në përmbushje të kurrikulës.

2.3.Pajisja e nxënësve me tekste mësimore

Për nxënësit që për arsye të dëmtimit të shtëpisë ose të shkollës regjistrohen në një shkollë tjetër, drejtori i shkollës pritëse njofton ZVAP-në rreth nevojave për tekste mësimore. Nxënësit pajisen me tekstet mësimore të shkollës pritëse. Nëse nxënësit kanë vështirësi për shkak të ndryshimit të teksteve (tema ose kapituj që nuk janë zhvilluar), mësuesi i lëndës duhet të jetë fleksibël dhe të hartojë një plan të posaçëm për lehtësimin e përvetësimit të njohurive/ aftësive nga nxënësit.