Ministri Toni Gogu urdhëron inspektim për transferimin e Erion Veliajt në burgun e Fierit
Dritare.net

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka urdhëruar një inspektim për të verifikuar procedurën e ndjekur nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve për transferimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, nga paraburgimi i Durrësit në atë të Fierit.
Lajmi bëhet i ditur nga burime në përgjigjen që ministri Gogu u ka përcjellë drejtuesve të dy komisioneve parlamentare, Bledi Çuçit të Komisionit të Sigurisë dhe Fatmir Xhafës të Komisionit për Mbikëqyrjen Institucionale.
Kërkesa e ministrit vjen pas shkresës zyrtare që dy drejtuesit e komisioneve i dërguan një ditë më parë, ku kërkonin informacion mbi procedurën dhe arsyet e transferimit të Veliajt drejt burgut të Fierit.
Në përgjigjen e tij, Gogu ka theksuar se, sipas ligjit, përgjegjësia e drejtpërdrejtë për transferimin e personave të paraburgosur apo të dënuar i takon Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Ndërkohë, inspektimi i urdhëruar nga ministri nuk do të përqendrohet vetëm te rasti i kryebashkiakut të Tiranës, por do të përfshijë të gjitha transferimet e kryera me urdhër të Drejtorisë së Burgjeve gjatë kësaj periudhe.
Një ditë më parë, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bëri të ditur se gjatë 12 ditëve të fundit kishte urdhëruar 24 transferime.
Vetë Erion Veliaj ka pretenduar se transferimi i tij është kryer pa dijeninë e tij dhe në shkelje të të drejtave të njeriut, pasi, sipas tij, nuk i është vënë në dispozicion as urdhri përkatës.
Për më tepër, pasi Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve e cilësoi si “sekret shtetëror” motivin e transferimit, Veliaj kërkoi të dinte se mbi çfarë autorizimi ishte bërë ky klasifikim.
Kryebashkiaku pretendoi se kompetenca për klasifikimin e një çështjeje si sekret shtetëror u takon Presidentit, Kryeministrit dhe institucioneve të autorizuara prej tyre, duke i kërkuar Drejtorisë së Burgjeve të bëjë publik autorizimin përkatës.