Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Ministri Gonxhja: 67% më shumë parcela plazhesh publike këtë sezon

Numri i parcelave të stacioneve të plazhit publik është rritur me 67% këtë sezon, ndërsa sipërfaqja e tyre është zgjeruar me mbi 10% në të gjithë vendin. Shifrat janë bërë publike nga ministri i Turizmit Blendi Gonxhja, i cili tha se zgjerimi i hapësirave publike ka ardhur në funksion të rritjes së aksesit për qytetarët dhe turistët.

Sipas ministrit, rritja e hapësirave publike ka sjellë njëkohësisht reduktimin e terrenit të zënë nga stacionet private të plazheve.

“Më shumë plazhe publike, më shumë akses, cilësi dhe çmime të përballueshme për banorët e zonave, por edhe për turistët e shumtë që zgjedhin Shqipërinë”, u shpreh ministri.

Një tjetër risi këtë sezon është ofrimi, për herë të parë, i çadrave dhe shezlongëve në plazhet e menaxhuara nga bashkitë. Tarifat për këto shërbime janë miratuar nga këshillat bashkiakë, me synimin për të garantuar çmime të kontrolluara dhe për të frenuar abuzimet.

Gonxhja veçoi Sarandën si një prej shembujve pozitivë në këtë drejtim, duke theksuar se edhe disa bashki të tjera po zbatojnë modele të ngjashme të menaxhimit të hapësirave publike.

Sipas ministrit, rezultatet e këtij modeli janë tashmë të dukshme, ndërsa procesi i përmirësimit dhe zgjerimit të plazheve publike do të vijojë edhe në të ardhmen./L.F-dritare.net