Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Meloni pas dhunës në Milano: Kush thyen paguan, nëse është i mitur paguajnë prindërit!


Meloni pas dhunës në Milano: Kush thyen paguan, nëse

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka prezantuar masat e reja të qeverisë pas dhunës që tronditi Milanon dhe disa qytete të tjera italiane gjatë fundjavës. Në një video të publikuar pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Meloni i quajti skenat e plaçkitjeve dhe sulmeve ndaj policisë “të papranueshme”, duke shtuar se askush nuk mund t’i minimizojë apo t’i justifikojë.

Sipas saj, dekreti i miratuar sot krijon një vepër të re penale: pjesëmarrjen e dhunshme në një manifestim. Kush gjatë një proteste i bashkohet një grupi prej 5 ose më shumë personash dhe hedh gurë, fishekzjarrë apo shkopinj rrezikon deri në 5 vjet burg dhe deri në 20 mijë euro gjobë. Dënimi rritet nëse personi ka fytyrën të mbuluar ose ka plagosur dikë.

Masa e dytë ndjek parimin “kush thyen paguan”. Nëse dëmin e ka shkaktuar një i mitur, faturën do ta paguajnë prindërit. Për dëmet ndaj pasurisë publike urdhrin e pagesës do ta dërgojë Prefekti, ndërsa pronarët privatë mund t’i drejtohen gjykatësit për një urdhër pagese menjëherë të ekzekutueshëm.

Dekreti parashikon gjithashtu se për të miturit midis 14 dhe 18 vjeç do të prezumohet se ishin në gjendje të kuptonin atë që bënin, përveçse kur provohet e kundërta. Në Milano do të dërgohen 500 ushtarë shtesë deri në fund të vitit, krahas policisë dhe karabinierëve.

Meloni tha se trazirat lanë gati 200 agjentë të plagosur, ndërsa dëmet vetëm në Milano vlerësohen nga Confcommercio rreth 1 milion euro. Ajo bëri të ditur se policia ka ndaluar dhe arrestuar 330 persona, nga të cilët sipas saj gjysma janë me origjinë të huaj.

“Ka një të dhënë që duhet të na bëjë të gjithë të reflektojmë: më i vogli ndër djemtë e identifikuar në Milano thuhet se është vetëm 11 vjeç. Njëmbëdhjetë vjeç. Të dhemb dhe të frikëson”, deklaroi Meloni.

Kryeministrja tha se përveç grupeve antagoniste që kërkojnë përplasje në çdo protestë, këtë herë në shesh dolën qindra të rinj, shumë prej tyre të mitur, të thirrur nga një video në rrjetet sociale. “Të shkatërrosh dhe të vjedhësh nuk është protestë, është kriminalitet”, tha ajo.

Meloni theksoi se qeveria i dallon dhunuesit nga ata që protestojnë paqësisht dhe u bëri thirrje të gjitha forcave politike ta dënojnë dhunën pa paqartësi. “Të manifestosh është një e drejtë. T’u vësh flakën qyteteve tona nuk është”, përfundoi ajo./E.P-dritare.net