Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Luan Rama, homazh për "Zërin e Popullit" në 75 vjetorin e themelimit: Pa të s'do kishte PS

Luan Rama, homazh për "Zërin e Popullit" në 75 vjetorin

Sot gazeta “Zëri i Popullit” mbush 75 vjet nga dita e themelimit.

I vetmi që e përkujton është ish-gazetari dhe ish-kryeredaktori i gazetës Luan Rama, sot zëvendëskryetar i LSI.

Përmes një postimi në facebook, Rama shkruan se cili ishte kontributi dhe historia e gazetës, e themeluar që prej Luftës Antifashiste të popullit shqiptar.

POSTIMI I PLOTË

"75-vjet më parë, Luftës së madhe çlirimtare Antifashiste të popullit shqiptar, ju bashkua edhe "Zëri i Popullit", gazeta partizane dhe luftëtare e lirisë, shkolla e shtypit revolucionar e përparimtar, fjala e zjarrtë e një populli që e bashkoi Shqipërinë me koalicionin e madh antifashist botëror!

Zëri i Popullit ishte dhe mbetet gazeta ku publicistika shqiptare njohu larminë më të pasur në lloje e nënllojet e saj; kronika, lajmi, skica, përshkrimi, reportazhi, portreti, analiza, intervista, kritika, fejtoni, pamfleti, polemika, peizazhi, karikatura, komenti etj. e deri edhe tek letersia artistike.

Kjo mbetet arritja më e madhe profesionale, sepse plotësoi paradigmën e mangët të zhanrreve të publicistikës, duke pasuruar e zgjeruar më cilësisht traditën e gazetarisë përparimtare të viteve '30 të shekullit të kaluar.

Megjithëse ideologjikisht i kontrolluar, "Zëri i Popullit" u bë zëri i shqetësimeve të kohës, duke përfshirë edhe shqiptimin për herë të parë të nevojës për mendimin ndryshe.

Pas ndryshimit të sistemit e vendosjes së pluralizmit politik, "Zëri i Popullit" ia doli ta fitojë sfidën, duke u shndërruar bashkë me gazetën "Koha Jonë" në tribunë e shkollë të parë të shprehjes së mendimit qytetar e në mbrojtje të fjalës së lirë e vlerave të demokracisë.

Në këtë kohë "Zëri i Popullit" i shtoi emrit të vet edhe një meritë tjetër; u bë aleati i parë i UÇK-së në Shqipëri në luftën për çlirimin e Kosovës, duke i përcjellë opinionit shqiptar e mbarë botës, të vërteta që askush tjetër nuk guxoi t'i thotë, shpesh herë edhe në kundërshtim me "porositë" për të mos u nxituar!

Ndaj, në 75-vjetorin e "Zerit të Popullit" ku pata nderin të punoj bashkë me kolegë të mrekullueshëm në kohën kur pa atë gazetë druaj nëse do ta kishim apo jo sot Partinë Socialiste, dua të shpreh mirënjohjen dhe homazhin për të gjithë ata që kanë lënë prej ditës së parë e derisa u shua, shpirtin dhe përkushtimin e tyre në këtë tribunë, më jetëgjatën në historinë e shtypit shqiptar."