

Më së fundmi po të drejtohem me këtë titull pasi e ke merituar plotësisht.
Në fillim, kur ti zure vendin tim, më erdhi maraz. Ky një bythec që as zbor nuk ka bërë ndërsa unë mbeta katër vjet maleve dhe u bëmë njësoj, mendoja në fillim. Por tani e merituake plotësisht. Mos u habit! Ja përse:
Unë megjithëse dola nga lufta që e kisha bërë vetë, bëra zgjedhje dhe u detyrova të pranoj kandidatët alternativë. Ti mor bir, si me shaka si me të qeshur po shkon pa kandidatë fare. Unë bëja si bëja dhe bëja zgjedhje, ndërsa ti po i emëron direkt. Afrim evlat.
Çfarë nuk bëmë unë dhe Koçi atokohë që opozita mos merrte pjesë në zgjedhje; shpikëm votimet me gogla e ç’nuk shpikëm, por ata të opozitës u futën se u futën në parlament dhe fituan në ca vende. Këta teveqelët e tu as futen fare. Çfarë fati paske pasur mor të marrtë e mira.
Kur nisi parlamenti pavarësisht se ua nxija jetën, ata pisa aty rrinin. Derisa i mora me forcë dhe i plasa në burg. Ndersa këta të tutë ikën vetë. Po ti paske qenë artist o bir. Le që ti artist je xhanëm, por edhe duhet pohuar që ata të krahut tjetër janë pak kaqolë.
Por më e bukura fare dhe që na bëri me Stalinin të çonim një dolli për ty me rastin e zgjedhjeve që bëmë këtu se kush do të ishte Zoti, qe, se ty të përkrahin edhe amerikanët edhe anglezët. Epo paske qënë ezhdërha mor djalë. Ne bëmë 45 vjet luftë me ata qafira, ti e solle punën që të bëjnë tifozllëk për ty. I zoti dole. Madje edhe Titoja më solli një tortë dhuratë. Ti paske lënë pasardhës, më tha, jo si ata budallenjtë e mi që e bënë Jugosllavinë fërtelë.
Nuk po të mbaj më gjatë se edhe ti ke fushatë (fushatë i thënçin, por ti bëje sikur është serioze, se edhe unë ashtu e bëja me ata të Frontit). Por edhe unë jam i zënë se po bëjmë ligjet e reja për zgjedhjen e Zotit, se ky qe ishte dhe humbi tani në fund, pretendon për manipulime nga komisioni ku isha unë me Stalinin dhe Maon.
Të uroj suksese të mëtejshme. Bëj zgjedhjet lokale dhe mos u ndal por merr edhe të përgjithshmet. Do të bërtasin ca, por njerëzit e kanë memorjen e shkurtër.
Yti
Enveri!/dritare.net

















