Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

LaCivita, këshilltari i Berishës, në telashe me Trump-in: Nuk punon për mua

LaCivita, këshilltari i Berishës, në telashe me Trump-in: Nuk


Chris LaCivita, strategu amerikan që këshilloi Sali Berishën në fushatën e zgjedhjeve të 11 majit 2025, është vënë në qendër të një debati në SHBA pas angazhimit të tij në Bosnje dhe Hercegovinë. Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se do të ndërpresë menjëherë marrëdhëniet me LaCivita dhe këshilltarin tjetër politik James Blair, nëse rezulton se aktivitetet e tyre të tjera krijojnë konflikt interesi.

Reagimi i Trumpit erdhi pas një raportimi të The New York Times, sipas të cilit LaCivita dhe Blair kanë udhëtuar në Republikën Srpska, në Bosnje dhe Hercegovinë, para zgjedhjeve atje. Sipas raportimeve, dy këshilltarët kanë ofruar shërbime politike për palën serbe të Bosnjës.

Trump sqaroi se LaCivita dhe Blair nuk janë punonjës të tij, por konsulentë të jashtëm, dhe se mund të kenë edhe klientë të tjerë.

Reagimi i Presidentit Trump në rrjetet sociale:

"Chris LaCivita dhe James Blair janë konsulentë të jashtëm. Ata nuk punojnë për mua, përveçse në cilësinë e konsulentëve të jashtëm. Ka shumë të ngjarë që të kenë një numër të madh klientësh, por për këtë duhet t’i pyesni ata.

Ata lejohen të kryejnë punë për të tjerë, njësoj si të gjithë konsulentët në Uashington, D.C. Nuk kam asnjë ide se për kë tjetër punojnë, por, pas një reflektimi, do t’i pyes dhe, nëse ka një konflikt interesi, do t’i ndërpres menjëherë marrëdhëniet me ta!

Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje."

LaCivita dhe lidhja me Berishën
Chris LaCivita u angazhua nga Sali Berisha si këshilltar për fushatën e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025. Në të njëjtën periudhë, Partia Demokratike lidhi një kontratë dyvjeçare me vlerë 6 milionë dollarë me kompaninë amerikane Continental Strategy për shërbime lobimi dhe marrëdhënie me administratën amerikane. Kontrata u bë publike pak para zgjedhjeve dhe SPAK nisi verifikimet lidhur me të, duke shqyrtuar burimin e parave, mënyrën e pagesës dhe respektimin e kërkesave ligjore. LaCivita ishte ndër figurat amerikane të përfshira drejtpërdrejt në fushatën e Berishës. Pas zgjedhjeve, mediat raportuan gjithashtu për një pagesë prej rreth 1.4 milionë eurosh, ose rreth 1.6 milionë dollarë, për LaCivitan. Ndërkohë, sot emri i tij rikthehet në vëmendje në SHBA për shkak të angazhimit në Republikën Srpska dhe paralajmërimit të Trumpit se çdo konflikt interesi mund t'i kushtojë atij marrëdhënien me presidentin amerikan./K.C/dritare.net