Kuvendi mblidhet të enjten, ja rendi i ditës!
Dritare.net
Kuvendi i Shqipërisë pritet të zhvillojë të enjten, më 22 tetor 2026, në orën 10:00, seancën plenare publike, me një rend dite që përfshin interpelanca me tre ministra, shqyrtimin e disa projektligjeve dhe ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale.
Sipas rendit të ditës, të miratuar me urdhër të kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, një nga çështjet kryesore të seancës është interpelanca urgjente me ministrin e Punëve të Brendshme, Ervin Demo, e kërkuar nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike.
Në seancë do të zhvillohen gjithashtu dy interpelanca me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, të kërkuara nga deputetët Ermal Pacaj dhe Tedi Blushi. Ky i fundit ka kërkuar edhe një interpelancë me ministrin e Financave, Petrit Malaj.
Gjashtë projektligje në shqyrtim
Përveç interpelancave, deputetët do të shqyrtojnë gjashtë projektligje që lidhen me fusha të ndryshme të legjislacionit dhe administrimit publik.
Një tjetër pikë e rëndësishme është projektvendimi për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale në Republikën e Shqipërisë. Projektvendimi parashikohet të hidhet në votim gjatë seancës.
Në përfundim të punimeve, deputetët do të diskutojnë edhe për çështje jashtë rendit të ditës. Sipas Rregullores së Kuvendit, çdo deputet mund të flasë deri në pesë minuta, ndërsa përfaqësuesit e grupeve parlamentare deri në tetë minuta. Koha totale e këtyre diskutimeve nuk mund të kalojë 60 minuta.
Megjithatë, mbetet e paqartë nëse seanca e së enjtes do të zhvillohet sipas planit. Seanca e mëparshme plenare, e parashikuar për 15 tetor, u anulua për shkak të protestave të studentëve në Tiranë dhe u shty për më 22 tetor, me të njëjtin rend dite. Në kushtet kur protestat vijojnë, ende nuk dihet nëse Kuvendi do të mblidhet këtë të enjte apo nëse seanca do të shtyhet sërish./L.F--dritare.net