Na ndiqni edhe në

Kosova dhe Rajoni

Kush janë kandidatët e studentëve në Serbi dhe çfarë programi propozojnë!

Kush janë kandidatët e studentëve në Serbi dhe

Megjithëse ishte një lëvizje studentore që fitoi zgjedhjet në Serbi, asnjë student nuk është zgjedhur deputet.

Lëvizja nisi me studentët që bllokonin rrugët dhe u shndërrua në protesta pothuajse të përditshme dhe në një lëvizje kombëtare kundër korrupsionit dhe neglizhencës së qeverisë.

Në pak më pak se dy vjet, studentët kanë arritur t’i japin fund 14 viteve të dominimit politik nën Aleksandar Vuçiçin. Mbështetja për Partinë e tij Progresive Serbe (SNS) ka ardhur duke u zbehur, derisa në fund partia dështoi në atë që u shndërrua në një referendum për të ardhmen e Serbisë.

Nga Beogradi në Novi Sad dhe Nish, atmosfera ishte euforike, ndërsa mbështetësit u mblodhën në sheshet e qyteteve ose përpara selisë së Listës Studentore. Në një postim në rrjetet sociale, studentët deklaruan: “Serbia është e lirë”.

Më simbolikja nga të gjitha ishte shembja e të ashtuquajturit Ćaciland, një kamp me tenda pro Vuçiçit, i ngritur 18 muaj më parë në Parkun e Pionierëve, në qendër të Beogradit, përballë parlamentit serb. Gardhet metalike u rrëzuan mes thirrjeve: “Vuçiçi po largohet”.

Si e ndryshuan studentët Serbinë

Ata nuk kanë liderë të njohur dhe nuk kanë përvojë të mirëfilltë në politikë, e megjithatë lëvizja “Lista Studentore – Studentët Fitojnë” arriti të tërhiqte votues kundër qeverisë nga të gjitha shtresat e shoqërisë serbe.

Ata paraqitën kandidatë për të 250 vendet në parlament, por asnjë student nuk ishte mes tyre.

Teksa iu bashkua studentëve që marshonin drejt Beogradit javën e kaluar, kandidati kryesor dhe kardiologu Ilija Srdanović tha se historia po rishkruhej: “Energjia është e pandalshme”.

“Ne u ofrojmë qytetarëve tanë vlerat thelbësore të një shoqërie të qytetëruar, të cilat regjimi i mëparshëm ua ka marrë qytetarëve tanë për herë të fundit”, i tha ai BBC-së.

Gjithçka nisi më 1 nëntor 2024, kur streha prej betoni në hyrje të stacionit hekurudhor të Novi Sadit, qyteti i dytë më i madh në Serbi, u shemb, duke shkaktuar vdekjen e 16 personave.

Tragjedia u pa si një shembull i korrupsionit të përhapur gjerësisht. Kritikët e lidhën rinovimin e stacionit, i cili kishte të meta fatale, me një president që ishte përfshirë personalisht në promovimin e projektit.

“Kur u shemb streha, kjo ishte pika e fundit që mbushi kupën”, thotë Helena Ivanov nga instituti kërkimor Henry Jackson Society.

Sipas saj, ishte një moment emocional që ndezi shkëndijën dhe nxiti një fushatë kombëtare marshimesh dhe aktivitetesh, e cila preku zemrat dhe mendjet e serbëve në një mënyrë që asnjë parti opozitare nuk kishte arritur më parë.

Nga protestat te sfida e drejtpërdrejtë ndaj Vuçiçit

Kush janë kandidatët e studentëve në Serbi dhe

Ajo që nisi si protesta javore të studentëve, me kërkesa për drejtësi në kampuset universitare dhe rrugët e qyteteve, u shndërrua shpejt në një lëvizje kombëtare. Ajo u përhap shpesh në nivel lokal dhe përfshiu shumë më tepër shtresa të shoqërisë serbe, përfshirë fermerë, aktorë dhe gjyqtarë.

Partia SNS e Vuçiçit u trondit dukshëm dhe, në janar 2025, kryeministri i tij dha dorëheqjen “për të ulur tensionet”. Në mars të vitit 2025, Beogradi përjetoi protestën më të madhe kundër qeverisë në historinë e Serbisë. Ndërsa lëvizja studentore pa liderë të përcaktuar rritej, studentët u organizuan përmes asambleve studentore ose plenumeve.

Në kohën kur Vuçiçi shpalli zgjedhjet e parakohshme muajin e kaluar, ata ishin gati.

“Ata arritën ta shndërronin atë vrull emocional në një organizim të mirëfilltë dhe të mësonin njerëzit se si të mbronin ndershmërinë në qendrat e votimit”, shpjegoi Helena Ivanov.

“Mesazhi ishte i qartë: sundimi i ligjit dhe jo të sundohesh nga ligji”, tha Gordana Delić, drejtuese e programit për Ballkanin në German Marshall Fund të Shteteve të Bashkuara, e cila tha se votimi i së dielës ishte, në thelb, një referendum.

Fillimisht, Vuçiçi u përpoq t’i lavdëronte protestuesit si “me qëllime të mira”, por përpara zgjedhjeve i akuzoi se po përpiqeshin “ta rrëzonin” Serbinë. Edhe pasi pranoi humbjen të dielën në mbrëmje, ai bëri pretendimin e pabazuar se ata kishin mbështetjen e disa “vendeve europiane dhe shtetit të thellë amerikan”, pa përmendur se për cilat vende apo aktorë bëhej fjalë.

Kush do ta drejtojë Serbinë tani?

Kush janë kandidatët e studentëve në Serbi dhe

Një gjë është e qartë: nuk do të jenë studentët, pasi ata nuk kandiduan në zgjedhje. Ky ishte një vendim i menduar, pasi elektorati me gjasë nuk do të votonte për një listë kandidatësh me pak përvojë jetësore.

Megjithëse kandidati i parë i listës së tyre ishte Ilija Srdanović, profesor i kardiologjisë në Novi Sad, ai nuk shihet si një kandidat i mundshëm për kryeministër.

Pak nga kandidatët spikasin si udhëheqës të mundshëm.

Mendohet se të paktën 135 persona nga lista kanë fituar vende në parlament. Mes tyre janë ish-ylli i basketbollit Dejan Bodiroga (i 24-ti në listë), aktori i njohur Tihomir Stanić (i 8-ti), këngëtari i operës Nikola Mikić (i 46-ti), ish-guvernatori i Bankës Kombëtare të Serbisë, Dejan Šoškić (i 27-ti), si dhe një numër i konsiderueshëm profesorësh.

Emri i Šoškić është përmendur në lidhje me postin e kryeministrit. Ai ka folur për reformat që do të ndërmerrte në ekonomi dhe është kritikuar gjerësisht nga mediat proqeveritare.

Cili është programi i tyre?

Deputetët e zgjedhur do të kenë detyrën të përmbushin atë që në thelb është një program qeverisës.

Sipas vetë studentëve, ata kërkonin njerëz që mund të hynin në institucione, “të bënin punën e tyre me përgjegjësi dhe të mos harronin arsyen përse ndodheshin aty”.

Sipas një programi me 11 pika, lëvizja studentore synon:

Të çrrënjosë korrupsionin duke krijuar një njësi policore për arrestimin e personave përgjegjës për të.
Të largojë nga Ministria e Punëve të Brendshme zyrtarët që kanë shkelur rregullat gjatë shtypjes së protestave ose që kanë lidhje me krimin e organizuar.
Të reformojë peizazhin mediatik të deformuar të Serbisë dhe të çlirojë transmetuesin publik nga kontrolli politik.
Të ndalojë emërimin e njerëzve besnikë ndaj partive politike në krye të ndërmarrjeve publike.
Vuçiçi dhe partia SNS i mohojnë akuzat për korrupsion dhe përpjekjet për të ndikuar te mediat.

A do të vazhdojë të jetë lëvizje studentore, edhe pa studentë?

Edhe pse studentët nuk janë zgjedhur, janë ata që u kanë bërë premtime serbëve dhe do të përballen me presionin për të zbatuar programin e tyre.

Qytetarët e zakonshëm serbë, të cilët ata zgjodhën për t’i përfaqësuar, “janë ngarkuar me detyrën për të përcjellë një pjesë të betejës që kemi zhvilluar në rrugë gjatë vitit të kaluar brenda institucioneve”, thonë studentët.

Në fjalimin e tij të dielën në mbrëmje, Vuçiçi u tha mbështetësve të partisë se studentët kishin shkatërruar dy vite jetë në Serbi dhe se ata do të mposhteshin “më shpejt nga sa mendojnë”./L.F-dritare.net