Kush e tradhtoi Ded Gjo Lulin? Dy variantet për kurthin që çoi në vrasjen e tij!
Dritare.net

Në emisionin “Dekalog”, gazetari Roland Qafoku, duke u bazuar në librin e tij “100 vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar”, paraqet detajet e vrasjes së Ded Gjo Lulit, një prej figurave emblematike të qëndresës kombëtare në Veri.
Sipas Qafokut, mënyra se si u vra udhëheqësi 75-vjeçar nuk lë vend për dyshime: ai u ekzekutua në shtator të vitit 1915 nga forcat pushtuese serbe. Misteri i madh lidhet me personat që organizuan kurthin dhe e dorëzuan në duart e tyre.
Në libër paraqiten dy variante kryesore. I pari lidhet me Gjon Marka Gjonin, bajraktarin e Oroshit. Duke iu referuar të dhënave të autorit Pal Doçi, Qafoku tregon se Ded Gjo Luli mori një njoftim urgjent për një takim ku do të diskutohej “për fatet e Vatanit”.
Ai u nis drejt vendit të takimit, por atje u gjend përballë një rrethimi me rreth 30 ushtarë serbë. Sipas këtij varianti, bajraktari nuk doli ta takonte, por qëndroi i fshehur në pyll. Kjo dëshmi ngre pikëpyetje, pasi njohësit e Kanunit argumentojnë se pozita dhe morali i një bajraktari nuk do ta lejonin një sjellje të tillë.
Varianti i dytë, i mbështetur nga gazetari dhe studiuesi Dalip Greca, e lidh organizimin e komplotit me Esad Pashë Toptanin. Sipas kësaj teorie, Esad Pasha e konsideronte Ded Gjo Lulin një pengesë serioze për bashkëpunimin e tij me forcat serbe dhe për realizimin e interesave të tij politike.
Në këtë version përmenden edhe Sheh Hamdiu dhe Ali Femiu, të dy të lidhur me rrethin e Esad Pashës. Sipas të dhënave të mbështetura edhe nga kineasti dhe shkrimtari Kolec Traboini, ata morën peng shoqëruesit e Ded Gjo Lulit dhe ua dorëzuan atë ushtarëve serbë.
Gjatë rrugës drejt shtabit ushtarak, forcat serbe e ekzekutuan Ded Gjo Lulin me armë zjarri dhe thika. Dyshohet se vrasja u krye përpara mbërritjes në destinacion, nga frika e një përpjekjeje për ta shpëtuar./E.P-dritare.net