Kush e shkatërroi aviacionin shqiptar? Flet gjenerali Frederik Beltoja!
Dritare.net

Ish-komandanti i Forcës Ajrore, gjenerali Frederik Beltoja, ka kritikuar ashpër në emisionin Shqip të Dritan Hilës në Dritare TV mënyrën si u trajtua aviacioni ushtarak shqiptar pas viteve '90.
"Me atë që shoh sot në Shqipëri, më duket sikur kam kaluar një ëndërr," tha Beltoja. Sipas tij, baza që ishte ngritur në atë kohë ishte "e jashtëzakonshme", ndërsa ata që e shkatërruan "nuk kanë pasur shpirt".
Ish-komandanti foli me zemërim për avionët MIG-21 të futur në det në Karaburun, sipas tij për t'u parë nga turistët. "Është turp, është ofendim," deklaroi ai.
Beltoja tregoi se, kur ishte komandant, iu kërkua t'i priste avionët me sharrë, por ai refuzoi. "I thashë jo, nuk i sharroj. Në qoftë se doni t'i shisni, i shesim si copë. Na e ruani nderin neve që kemi fluturuar dhe atyre që kanë fluturuar dhe janë vrarë," tha ai.
Ai u shpreh i hidhëruar edhe për aeroportin e shkollës së aviacionit në Vlorë, i cili, sipas tij, "nuk duhej të ishte bastarduar siç u bastardua që në vitin 1998", si dhe për vetë shkollën, që sipas tij nuk duhej të ishte zvogëluar.
Ish-komandanti shprehu shqetësim për gjendjen e sotme. "Mos të ketë Shqipëria helikopterë? Ku janë helikopterët?" pyeti ai. Kur iu përmend kostoja e mirëmbajtjes, u përgjigj: "Po jeta jote s'ka kosto?"
Ai tregoi edhe për vështirësitë me mirëmbajtjen në atë kohë. Sipas tij, kur kërkonte ndërrimin e pjesëve të helikopterëve, siç e parashikonte manuali, në Shtabin e Përgjithshëm e pyesnin pse, meqë helikopteri "nuk ka fluturuar gjashtë muaj".
Sipas Beltojës, Shqipëria duhej të lidhte marrëveshje me vende të NATO-s që përdorin të njëjtët helikopterë. Kështu riparimet do të bëheshin nga ata dhe do të paguhej vetëm fatura, pa grupet që, sipas tij, krijoheshin në atë kohë "për të verifikuar ku iku vida dhe ku iku kaçavida".
"Aviacioni kërkon tre gjëra: burimet njerëzore, pilotin dhe teknikun; avionin; dhe ku do ta mirëmbash e ku do të fluturojë. Po s'pate këtë treshe, është e kotë të hedhësh lekë në ajër," tha ish-komandanti./dritare.net