
10 vite burg nëse futesh te WhatsApp i dikujt!
Dritare.net
Spiunimi i bisedave private në WhatsApp, edhe brenda një marrëdhënieje bashkëshortore apo gjatë një procesi divorci, përbën një krim të rëndë dhe ndëshkohet me burgim deri në 10 vjet. Kjo është ajo që ka vendosur së fundmi Gjykata e Kasacionit në Itali, në një vendim që pritet të ketë pasoja të gjera në rastet që përfshijnë shkeljen e privatësisë digjitale.
Rasti konkret lidhet me një burrë që gjatë procesit të ndarjes kishte shkarkuar dhe përdorur pa pëlqimin e ish-bashkëshortes së tij disa biseda private nga telefoni i saj celular. I dënuar fillimisht nga Gjykata e Apelit e Mesinës, ai kishte paraqitur rekurs në Kasacion, duke pretenduar se veprimet e tij ishin të justifikuara nga rrethanat personale dhe nevoja për të mbrojtur veten në gjykatë. Megjithatë, Gjykata e Kasacionit e rrëzoi përfundimisht rekursin e tij dhe konfirmoi dënimin për veprën penale të aksesit të paautorizuar në një sistem informatik.
Asnjë justifikim nuk vlen kundër ligjit
Në arsyetimin e saj, Gjykata thekson se hyrja në pajisjet elektronike apo llogaritë personale të dikujt tjetër pa pëlqim, edhe kur bëhet për arsye që duken “moralisht të arsyeshme” – si dyshimi për tradhti apo mbledhja e provave për një proces gjyqësor – nuk mund të tolerohet përpara ligjit. Privatësia digjitale është një e drejtë e mbrojtur, dhe cenimi i saj është i dënueshëm penalisht.
Një precedent me pasoja të gjera
Ky vendim i Gjykatës së Kasacionit krijon një precedent të fortë për të gjitha rastet e ngjashme në të ardhmen dhe forcon mbrojtjen ligjore të privatësisë në epokën digjitale. Ai gjithashtu përçon një mesazh të qartë: mosrespektimi i kufijve personalë në botën virtuale është po aq i dënueshëm sa në jetën reale./L.F-dritare.net

















