Na ndiqni edhe në

Shqip

Kur Reis Malile u përplas me George H.W Bush në OKB! Flet ambasadori Sabri Kiçmari

Në vitin 1971, në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, një diplomat shqiptar u përball me George H.W Bush, atëherë përfaqësues i përhershëm i SHBA-ve në OKB. Për këtë ngjarje ka folur ambasadori i Kosovës në Japoni, Sabri Kiçmari, në emisionin “Shqip” nga Rudina Xhunga në Dritare TV.

Diplomati ishte Reis Malile, zëvendësministër i Jashtëm i Shqipërisë, dhe detyra e tij ishte ta fuste Kinën në OKB. Kiçmari thotë se ka lexuar stenogramin e tri ditëve të debatit dhe e përshkruan si “një debat shumë të fortë”, me gjuhë të ashpër nga të dyja palët.

“Më e ashpër, më duket mua sot, nga këndvështrimi i sotëm, është gjuha e Reis Malilës”, tha ambasadori.


Pse u zgjodh Malile?

Sipas Kiçmarit, Tirana nuk e la në duart e përfaqësuesit të zakonshëm në OKB mbrojtjen e qëndrimit të saj. Dërgoi Malilen, sepse kishte qenë ambasador në Pekin pikërisht në vitin 1961, në momentin e kthesës me Bashkimin Sovjetik, dhe e njihte Kinën shumë mirë.

“Pra, një ekspert shumë i mirë i Kinës, i cili shkon dhe e mbron qëndrimin e Shqipërisë në Asamblenë e Përgjithshme”, shpjegoi Kiçmari.

Shqipëria, zëri i Kinës

Në atë kohë Kina nuk kishte të drejtë fjale në OKB. Populli kinez përfaqësohej nga Tajvani, me emrin zyrtar “Republika e Kinës”. Prandaj, sipas Kiçmarit, gjithë nisma dhe gjithë procesi u drejtuan praktikisht nga përfaqësuesi i Shqipërisë.

Me mbështetjen e shumë shteteve të tjera u sigurua shumica e dy të tretave. Kina u pranua në OKB, ndërsa Tajvanit iu hoq e drejta për ta përfaqësuar popullin kinez.

Për ambasadorin, ky moment është thelbi i marrëdhënies Tiranë–Pekin. “Në këtë kontekst e them edhe në libër: Kina ka detyrim ndaj shqiptarëve”, deklaroi ai. Sipas tij, ky detyrim vlen sot edhe për Kosovën, e cila ende nuk është njohur nga Pekini.

Kiçmari kujtoi se emri i Malilës lidhet edhe me rifillimin e marrëdhënieve pas rënies së komunizmit. Në vitin 1991 ai ishte ministri i parë i Jashtëm shqiptar që vizitoi Kinën. Ambasadori tha se ka kërkuar kujtime të shkruara nga Malile, por nuk ka gjetur./dritare.net