
Zgjedhjet lokale në Kosovë, të gjitha partitë që fituan dhe humbën!
Dritare.net
Në zgjedhjet lokale në Kosovë, më 12 tetor, qytetarët i shpërndanë pushtetet lokale në mënyrë të tillë që të mos ketë fitues apo humbës absolutë, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike.
Sipas të dhënave preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në 21 komuna, gara zgjedhore përfundoi në raundin e parë, ndërsa në 17 të tjera do të zhvillohet balotazh.
Gara zgjedhore përfundoi në 21 komuna
Sipas të dhënave preliminare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, garën pa balotazh e fitoi në tri komuna Lëvizja Vetëvendosje (Podujevë, Kamenicë dhe Shtime ), po aq sa edhe Partia Demokratike e Kosovës (Ferizaj, Skënderaj, Hani i Elezit).
Lidhja Demokratike e Kosovës fitoi në dy komuna (Lipjan, Istog).
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e siguroi fitoren në Deçan, ndërsa Nisma në Malishevë.
Në Mamushë fitoi kandidati për kryetar i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDKP), ndërsa Lista e Ramiz Lladrovcit siguroi fitoren në Drenas.
Lista Serbe fitoi në 9 komunat e banuara me shumicë serbe, ndërsa në Kllokot prin, por shkon në balotazh me Unitetin Kombëtar Serb.
Lëvizja Vetëvendosje do të garojë në balotazh në 12 komuna të tjera. Në dy prej tyre u rendit e para, ndërsa në 10 komuna, kandidatët e LVV-së për kryetarë janë të dytët me vota.
Në balotazh do të garojë në nëntë komuna Lidhja Demokratike e Kosovës. Në gjashtë komuna, ajo u radhit e para, ndërsa në tri të tjera e dyta.
Partia Demokratike e Kosovës do të garojë në balotash në gjashtë komuna, prej të cilave në katër u radhit e para, ndërsanë dy të tjera, e dyta.
Në pesë komuna do të garojë në balotazh Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ku në katër u radhit e para, ndërsa në një tjetër është e dyta.
Gara ndërmjet partive politike do të vazhdojë në 17 komuna, në të cilat askush nga kandidatët për kryetarë nuk arriti të siguronte mbi 50 për qind të votave.
Nga komunat me shumicë serbe, vetëm Kllokoti do të ketë rund të dytë zgjedhjesh. Në nëntë komunat tjera fitoi Lista Serbe.
Në zgjedhjet e 12 tetorit votuan 39.58 për qind e mbi 2 milion qytetarëve me të drejtë vote.
Në zgjdhjet lokale të vitit 2021 votuan rreth 43 për qind e rreth 1.7 milion qytetarëve me të drejtë vote.
Rënia në përqindje e daljes së qytetarëve në zgjedhje lokale, sipas njohësve të zhvillimeve politike, është rezultat i mungesës së alternativave për zgjedhje, si dhe i fushatës jo të mirë të kandidatëve në garë për kryetarë komunash dhe anëtarë asamblesh komunale.
Gjithashtu, rënia e përqindjes së votuesve, sipas tyre, lidhet edhe me pakënaqësitë ndaj bllokadës disamuajshe të konstituimit të Kuvendit, si dhe mungësës së Qeverisë me mandat të plotë./rel

















