Na ndiqni edhe në

Kosova dhe Rajoni

Sot nënshkruhet vendimi i liberalizimit të vizave për Kosovën!

Sot nënshkruhet vendimi i liberalizimit të vizave për

Akti ligjor i Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën do të nënshkruhet sot, më 19 prill.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, është nisur të mërkurën drejt Strasburgut, për të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit, ku është ftuar edhe ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz.

Ceremonia e nënshkrimit do të zhvillohet në selinë e Parlamentit Evropian, dhe do të drejtohet nga shefja e këtij institucioni, Roberta Metsola.

Pjesëmarrës në ceremoni do të jetë edhe një përfaqësues i Suedisë, meqë ky shtet kryeson Bashkimin Evropian në këtë periudhë.

Ceremonia do të fillojë në orën 14:45.

Më 18 prill, Parlamenti Evropian e ka miratuar vendimin për vizat, duke përmbyllur procedurat vendimmarrëse për këtë çështje.

Miratimi është bërë pa votim, pasi nuk ka pasur asnjë kundërshtim.

Kjo nënkupton se qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin pa viza në vendet e zonës Schengen prej 1 janarit të vitit 2024.

Pas nënshkrimit të vendimit, hapi i fundit mbetet botimi i vendimit në Gazetën Zyrtare.

Regjimi pa viza mundëson udhëtime vetëm deri në 90 ditë - brenda gjashtë muajsh - në cilindo nga shtetet anëtare të zonës Schengen.

Udhëtimet pa viza duhet të shërbejnë për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme, dhe në asnjë rast nuk nënkuptojnë leje pune ose përfitime të tjera.

Kosova, aktualisht, është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirshëm në zonën Schengen.

Kjo, me gjithë faktin se Komisioni Evropian, qysh në vitin 2018, ka konfirmuar disa herë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por kanë qenë disa vende anëtare që vazhdimisht kanë shprehur rezerva./REL/A.ZH-dritare.net