
Mediat në rrjetet sociale, burim kryesor i keqinformimit!
Dritare.net
Qytetarët në Kosovë keqinformohen gjithnjë e më shumë nga mediat që shfaqen vetëm në rrjetet sociale, si Facebook, dhe nga ato të regjistruara si entitete juridike, tregojnë të dhënat e raportit të fundit të platformës për kontrollim të fakteve në Kosovë, Hibrid.info.
Raporti i publikuar të martën, më 25 prill, tregon se, gjatë muajit mars, vetëm 10 për qind e lajmeve keqinformuese janë publikuar nga portale “të dyshimta”- siç cilësohen portalet për aktivitetin e të cilave nuk ka të dhëna publike.
Të dhënat nga raportet paraprake të Hibrid.info tregojnë se ky trend ka qenë në rritje që nga fillimi i vitit 2023.
Shkëlzen Osmani, themelues i platformës Hibrid.info, thotë për Radion Evropa e Lirë se këtë trend e kanë nxitur mediat sociale, si faqet në rrjetin social Facebook, për të cilat thotë se shpeshherë as nuk tentojnë të identifikohen si media.
“Shpeshherë nuk u intereson të identifikohen më si media. Nuk e kanë gjithqysh synimin të dezinformojnë, por qëllimi i tyre është t’i rrisin ato faqe duke krijuar përmbajtje për të cilën nuk u intereson a është keqinformuese”, thotë Osmani.
Ai tregon se këto faqe rriten me synime të ndryshme, si për shembull për t’u shitur gjatë fushatave zgjedhore apo te ndonjë biznes i caktuar.
Të dhënat e publikuara në raportet e platformës Hibrid.info - që është anëtare e Rrjetit Ndërkombëtar të Kontrolluesve të Fakteve (IFCN) - nxirren nga stafi i kësaj platforme që monitoron në baza ditore artikujt me përmbajtje keqinformuese./REL/A.ZH-dritare.net

















