
Kurti-serbëve: Mos braktisni institucionet e Kosovës!
Dritare.net
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga serbët në Kosovë që të mos bien pre e manipulimeve të pushtetarëve serbë dhe të mos braktisin institucionet e Kosovës.
“I ftoj të gjithë qytetarët serbë në Kosovë, që ta ruajnë qetësinë, paqen dhe sigurinë. Unë nuk jam kryeministër kundër jush, por Beogradi është kundër meje. Unë jam kryeministër që do t’ju shërbej duke respektuar kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e Republikës së Kosovës. Prioritet imi janë luftimi i korrupsionit, pra drejtësia, dhe zhvillimi ekonomik, pra punësimi; barazi e mirëqenie për të gjithë, pa dallim etnie, feje apo prejardhje.
Mos i bojkotoni ose braktisni institucionet e Kosovës. Ato na shërbejnë të gjithë neve, çdonjërit prej jush. Mos bini pre e manipulimeve politike dhe lojërave gjeopolitike. Le t’i përmbahemi të gjithë bashkë vlerave demokratike dhe evropiane të sundimit të ligjit, të të drejtave dhe lirive të njeriut e të pakicave, pluralizmit politik”, tha Kurti.
Ditën e sotme shtetasit serbë në Kosovë, vendosën të largohen nga institucionet e vendit si shenjë proteste ndaj vendimit të Qeverisë për shkallëzim të sanksioneve ndaj atyre që refuzojnë t’i konvertojnë targat ilegale të lëshuara nga Serbia, në targa RKS./L.F-dritare.net

















